PS paralajmëron tërheqjen nga komisioni
Autori i Lajmit: Suela TopiPartia Socialiste paralajmëroi dje se do të tërhiqet nga reforma në drejtësi nëse të djathtët nuk heqin dorë nga shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës. Kryetari i komisionit për çështjet ligjore në Asamblenë Kombëtare, Ylli Manjani, deklaroi se mazhoranca ka injoruar tryezën e partive parlamentare dhe se nisma për shkarkimin e Sollakut është dëshmi e këtij veprimi. Manjani i bëri thirrje mazhorancës të marrë përgjegjësitë politike për reforma në drejtësi dhe jo të uzurpojë në mënyrë të paligjshme institucionet përfaqësuese të saj. Kryetari i komisionit për çështjet ligjore në Asamblenë Kombëtare tha se për PS-në ashtu si edhe për Gjykatën Kushtetuese, nisma numër 2 për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm është antikushtetuese dhe për pasojë e papranueshme.
Qëndrimi
“Qëndrimi dhe veprimi ynë politik në vijim, do të varet drejtpërdrejt nga sjellja politike e mazhorancës”, - tha dje Manjani, për sa i përket çështjes së reformës në sistemin e drejtësisë. Ai konfirmoi qëndrimin dhe vullnetin e palëkundur të PS-së për një reformë të thellë e të qëndrueshme të sistemit të drejtësisë, përfshi këtu edhe Prokurorinë. Kryetari i Komisionit të Çështjeve Ligjore të Asamblesë Kombëtare të PS-së u shpreh se qytetarët sot kanë nevojë për një sistem drejtësie që t u shërbejë atyre dhe jo qeverive apo mazhorancave parlamentare. Në këtë funksion, sipas tij, ekipi politik dhe teknik i PS-së është gati të ofrojë kontributin e tij në Komisionin e Reformës. Manjani shprehu shqetësimin, që sipas tij, Qeveria dhe mazhoranca po anashkalojnë tryezën e partive parlamentare dhe nevojën emergjente për reformë në sistemin e drejtësisë. “Nisma më e fundit antikushtetuese e mazhorancës kuvendore për të shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm është dëshmi e qartë e largimit të shumicës nga tryeza politike e reformës. Për ne, ashtu siç ka konkluduar më parë edhe Gjykata Kushtetuese, nisma numër 2 për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm është antikushtetuese dhe për pasojë e papranueshme”, - tha ai. Manjani paralajmëroi se PS dhe opozita nuk mund të shërbejmë si fasadë politike e kësaj mazhorance, që vetëm shkel Kushtetutën e vendit, ndërkohë që çdo ditë përballemi me nevojën për reforma të thella në drejtësi dhe prokurori. Ndërkohë po dje, LSI pohoi se do të mbështesë kryerjen e një reforme të thellë dhe shumëplanëshe në sistemin e drejtësisë. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, tha se LSI ka kërkuar dhe kërkon një artikulim të qartë të elementeve thelbësore të reformës, si dhe kohëzgjatjen e saj. “Kjo reformë e qartë dhe transparente në sytë e publikut do të mbështetet, sepse është një provokativë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Çështja “Sollaku” nuk është dhe nuk kushtëzon një problem kaq të madh dhe parimor, sikurse është reforma në Drejtësi”, - u shpreh Vasili. I pyetur nëse LSI-ja do të marrë pjesë apo jo në komisionin parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Prokurorisë, ai tha se LSI është shprehur se është dakord në princip për të mbështetur këto komisione hetimore, sepse i konsideron një mundësi për të hetuar dhe për t u thelluar në çështje specifike, por për rastin konkret komisioni “Sollaku” ka një problematikë shumë të veçantë, sepse është një komision, i cili rilind nga ana e Partisë Demokratike në mënyrë antikushtetuese. “Për këtë çështje ka një vendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese, pra është komision që lind në një optikë të qartë të një komisioni politik dhe jo të një komisioni të mirëfilltë hetimor parlamentar”, - tha Vasili.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007