BE: 50 mln euro biznesit shqiptar
Bashkimi Europian financon 50 mln euro në fushën e prokurimeve publike. Për këtë qëllim, Zyra e Bashkimit Europian në Tiranë organizoi dje në mjediset e ABA Bussines, një takim me përfaqësues të biznesit vendas dhe të huaj, për t’u informuar në mënyrën se si do të mund të aplikojnë për tenderat e kategorive të ndryshëm në lidhje me këtë fond. Ekspertët e BE-së të pranishëm në takim informuan sipërmarrësit në lidhje me procedurat që duhet të ndjekin, për të marrë pjesë në tenderat e këtij institucioni. Nga ana e tij, ambasadori Ettore Sekui tha se gjatë këtij viti, Bashkimi Europian planifikon të organizojë rreth 50 milionë euro prokurime në Tiranë, që përfshijnë një sërë projektesh. Sipas Sekui është shumë e rëndësishme që bizneset të kenë të qartë se si duhet t’i paraqesin ofertat për këto projekte. Ai theksoi se transparenca dhe informimi paraprak i biznesit në lidhje me tenderat që zhvillon Bashkimi Europian, jo vetëm në Shqipëri, por në cilindo vend tjetër është shumë e rëndësishme.