E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: “Prania e EULEX-it e bën të padobishëm UNMIK-un në Kosovë”



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se krijimi i institucioneve shtetërore të Kosovës, si dhe prania e misionit europian, kanë bërë që UNMIK-u, misioni i Kombeve të Bashkuara, të jetë i tepërt dhe i padobishëm. Deklarata e liderit të qeverisë kosovare u bë gjatë një interviste. “Realiteti i Kosovës së pavarur, sovrane dhe demokratike, plotësimi dhe funksionimi i të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës, prezenca e EULEX-it dhe ICO-së, kanë bërë që UNMIK-u të ndihet, apo për ne të kuptohet si i tepërt, jofunksional dhe si një mision i tejkaluar”, - tha Thaçi. I pyetur nëse është i gatshëm të takohet me presidentin serb Boris Tadiç, Thaçi ka thënë se Serbia, në një formë a tjetër, e ka njohur Kosovën shtet. “Serbia, në një formë a tjetër, e ka njohur Kosovën shtet, në një formë të tërthortë apo indirekte, dhe vetë disa liderë të Beogradit tashmë janë deklaruar në favor të pavarësisë. Edhe vetë opinioni publik serb, në sondazhet ndërkombëtare, ka treguar vullnetin e qytetarëve se më tepër janë të interesuar të punojnë dhe të integrohen në strukturat euroatlantike sesa të mendojnë për Kosovën”, - deklaroi Thaçi.

30 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›