E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE Ballkani i mbushur me raste te ngjashme me Sanaderin

“Pastrimi” Nga kancelaritë e Brukselit po kërkohet nisja e një operacioni të gjerë antikorrupsion

Fenomeni “Sandader” po bëhet gjithnjë e më shumë një plan konkret i Bashkimit Europian për Ballkanin. Pas arrestimit të ish-kryeministrit të Kroacisë për korrupsion, ditët e fundit nga Brukseli po vjen edhe më shumë zëri politik se një operacion i “duarve të pastra” duhet të shtrihet në të gjithë rajonin tonë, duke larguar njerëzit e vjetër të politikës që kanë qeverisur vendet e Ballkanit.

Kroacia

“Votoni për të, sepse ky është lideri që do t'ju integrojë në Bashkimin Europian”. Kështu, para disa vitesh nga ekranet e televizioneve në Kroaci, porosisnin liderët e shumtë europianë që populli të votonte për Ivo Sanaderin, liderin e HDZ-së. Nuk ishin të paktë, por një varg i liderëve kryesorë të vendeve kryesore të BE-së. U printe Angela Merkel, pastaj Kryeministri i Italisë, Berluskoni, por edhe të vendeve të tjera, si Kryeministri i Luksemburgut, Juncker; ai i Holandës, Balkenende; kancelari austriak, Schusel. Këto epitete të larta që i dhanë, mbase edhe kanë bërë të mundur që ai t’i fitojë dy herë zgjedhjet në Kroaci. Ai i siguroi Kroacisë marrjen e statusit të kandidatit për anëtar të BE-së dhe të bëhej anëtare e NATO-s. Nisi edhe negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe bëri që Kroacia të jetë  anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por, sot Ivo Sanader ndodhet në paraburgim në Austri, ku u arrestua pas aktpadisë që iu ngrit në vendin e tij për korrupsion, keqpërdorim të detyrës dhe vetëm disa ditë më vonë, edhe në Austri dyshohej për pastrim parash. Me akuzën kundër Sanaderit, deri dje të plotfuqishëm, Kroacia po dëshmon se ligji është mbi politikën, dhe në këtë mënyrë po dërgon sinjal inkurajues në Bruksel, por shqetësues për disa liderë të tjerë në rajonin e Ballkanit.

Ballkani

“Ka plot ‘Sanadera’, e madje me duar edhe më të papastra se ai, nëpër Ballkan“, - theksojnë zyrtarë të rëndësishëm në Bruksel. Askujt nuk i vjen keq për Sanaderin, as miqve të tij të dikurshëm. Përkundrazi, ata ndihen të tradhtuar nga ai. Ai keqpërdori miqësinë e tyre dhe ndihmën. Por, të gjithë presin se çfarë ndikimi mund të ketë rasti i Sanaderit në pjesën tjetër të rajonit. Sa për Kroacinë, rasti ‘Sanader’ është kulmi i veprimeve në luftë kundër korrupsionit e jo fillim i kësaj lufte. Para se të akuzohej Sanader, disa ish-bashkëpunëtorë të tij tashmë ishin dënuar. Dy prej tyre ish-ministra në Qeverinë e Sanaderit dhe dhjetëra të tjerë menaxherë kompanish publike. Brukseli e di se Sanader nuk ishte i vetmi lider në rajon që bënte atë që i ngarkohet sot si aktakuzë. Ndoshta ai ishte më pak i kujdesshëm se disa liderë të tjerë, e ndoshta shoqëria e Kroacisë, megjithatë është më e guximshme dhe më e pjekur se shoqëritë e tjera në Ballkan. Ndoshta Kroacia ka kapacitete më të mëdha sesa vendet e tjera apo thjesht ka arritur depolitizimin e plotë të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit? Por, metodat që ka përdorur Sanader janë thjesht një shabllon që shihet gjithandej në Ballkan. Nuk ka vend në Ballkan, as Shqipëria, as Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Serbia apo Bosnja e Hercegovina, ku nuk ka  dyshime se privatizimi, kontrolli i ndërmarrjeve publike përmes emërimit të të afërmve në bordet udhëheqëse, ndikimi në media, kontrolli i tenderëve për ndërtim të rrugëve, aeroporteve apo rinovimi i ndërtesave, është bërë në mënyrën e njëjtë sikur në Kroaci, e madje edhe më zi. Kjo është arsye e mjaftueshme që shumë liderë në vendet e tjera të rajonit të djersiten nga rasti ‘Sanader’ dhe të mos mendojnë se miqësia me politikanë të huaj apo rrahja e krahëve për deklarata publike për integrime në BE e NATO, apo edhe thirrja në merita për realizimin e aspiratave kombëtare, do t’i shpëtojë nga përgjegjësia nëse i kanë përlyer duart.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›