Rriten masat rrugore per festat kujdes nga shpejtesia dhe alkooli
Festat e fundit të vitit detyrojnë policinë rrugore të rrisë masat, me qëllim parandalimin e aksidenteve fatale. Për këto masa ka dalë dje në një konferencë për shtyp drejtori i Policisë Rrugore, Vullnet Topalli, i cili ka dhënë edhe një sërë këshillash për drejtuesit e mjeteve. Sipas tij, duke qenë se aksidentet e fundit kanë ardhur më shumë për shkak të drejtuesve të mjeteve, ai ka kërkuar respektimin e këtyre këshillave, duke vënë në dukje se këtë muaj numri i aksidenteve dhe i viktimave të shkaktuara prej tyre është më i vogël se dhjetorin e vitit 2009. Në deklaratën e tij, Topalli vuri në dukje se Policia e Shtetit, nisur nga rritja e ndjeshme e fluksit të lëvizjes së mjeteve në të gjitha akset rrugore, si rezultat ardhjes së emigrantëve për festat e fundvitit, por dhe nga mundësitë e përkeqësimit të situatës së sigurisë rrugore për shkak të reshjeve të shiut, dëborës dhe akullit, ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë Rrugore, duke hartuar e duke zbatuar plane të përbashkëta masash ndërmjet shërbimeve të Policisë Rrugore, me strukturat e tjera të policisë vendore dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. “Shtimi i prezencës së shërbimeve policore në akset rrugore është bërë me qëllim për të parandaluar ngjarjet e mundshme aksidentale, si dhe për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve gjatë lëvizjes së tyre në akset ku paraqiten vështirësi”, deklaroi drejtori i Policisë Rrugore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Gjithashtu, ai shtoi se Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e shërbimeve të pandërprera të policisë, gjatë 24 orëve, në akset rrugore. “Shërbimet e Policisë Rrugore janë duke ushtruar kontrolle të vazhdueshme për respektimin e normave të sjelljes në bazë të Kodit Rrugor nga drejtuesit e mjeteve, në veçanti ndaj shkeljeve që janë burim aksidentesh si: normat e shpejtësisë, përdorimi i rripit të sigurimit, respektimi i tabelave e shenjave rrugore, mospërdorimi i pijeve alkoolike dhe pajisja e automjeteve me zinxhirë, në rastet kur është i nevojshëm përdorimi i tyre”, theksoi kreu i rrugores. Si rezultat i këtyre masave, gjatë këtij muaji janë evidentuar tregues më të mirë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Topalli shpjegoi se është reduktuar numri i aksidenteve rrugore me 19.3%, ose 28 raste më pak se muaji dhjetor 2009. “Gjithashtu, është reduktuar numri i personave me pasoja fatale për jetën me 44% ose 19 persona më pak dhe është reduktuar numri i personave të plagosur rëndë me 56%, ose 20 persona më pak”, deklaroi kreu i Policisë Rrugore. Policia Rrugore u bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të zbatojnë me korrektësi normat e Kodit Rrugor.