Trajleri thyen ndricuesit godet mjetin e parkuar
Një mjet i tonazhit të rëndë, tip maune, ka dalë nga rruga duke shkatërruar disa shtylla të energjisë elektrike dhe një mjet të parkuar në rrugë. Aksidenti që për fat është mbyllur pa viktima ndodhi dje në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Berat-Ura Vajgurore, në hyrje të qytetit. Mjeti me targa të Tiranës, TR5242J, mësohet se udhëtonte drejt qytetit të Beratit, ndërkohë që në lagjen “Kombinat” mjeti fillimisht ka rrëshqitur dhe më pas ka dalë krejtësisht nga rruga. Drejtuesi Mustafa Ago udhëtonte drejt Beratit me një mjet të firmës private ku punonte, ndërkohë që fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime serioze. Si pasojë e rrëshqitjes, mjeti ka marrë përpara dhe ka shkatërruar tre shtylla të energjisë elektrike, një mjet tip “Benz” që ndodhej i parkuar si dhe oborrin e një lokali në anë të rrugës. Drejtuesi është përpjekur të mbajë drejtimin në rrugën hyrëse për të shmangur përplasjen me makinat që futeshin në qytet, por tonazhi i rëndë i mjetit dhe gjatësia e tij ka bërë që të dështojnë tentativat e tij për ta mbajtur mjetin në rrugë, pasi mjeti ka përfunduar krejtësisht jashtë saj. Përplasja e mjetit me murrin rrethues të një lokali ka bërë që drejtuesi të marrë dëmtime të lehta, ndërkohë që dëmet materiale të regjistruara kanë qenë të mëdha. Drejt vendit të ngjarjes kanë shkuar ekspertët e Policisë Rrugore, të cilët nisën hetimet e rastit për të mësuar shkaqet e këtij aksidenti. Nga hetimet e para mësohet se shkak është bërë jo vetëm lagështia e krijuar në rrugë si rezultat i reshjeve të shiut, por dhe shpejtësia me të cilën udhëtonte mjeti.