E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni; Arrestohet kreu i Degës së Shitjes së OSSH-së në Lezhë



Kryetari i Degës së Shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është arrestuar nga Policia e Shtetit, pasi akuzohet për korrupsion pasiv. Për dy vjet, në bashkëpunim me një punonjës të kësaj dege, ai kishte arritur që të merrte para nëpërmjet ryshfetit nga një biznes privat, me anë të kërcënimeve. Por, hetimet e kryera nga agjentët bënë të mundur zbardhjen e kësaj skeme dhe arrestimin e Viktor Ujkës, me detyrë kryetari i Degës së Shitjes së OSSH-së, si dhe Gjovalin Prenga, me detyrë faturist dhe specialist për ndërprerjen e energjisë.

Hetimet

Pas një hetimi disamujor, të kryera me metoda speciale, dyshohet se të ndaluarit me anë të veprimeve të paligjshme, korruptive, për një periudhë prej rreth dy vjetësh e kanë detyruar një subjekt tregtar që t’u jepte ryshfet në një shumë prej 800.000 lekësh në çdo muaj. Sipas burimeve nga policia, ky veprim korruptiv kryhej në këmbim të faturimit aforfe të energjisë elektrike për një vlerë më të vogël nga sa konsumonte. Subjekti tregtar kërcënohej se në rast se nuk do të paguante 800 mijë lekë ryshfet, do t’i ndërpritej energjia elektrike dhe do të kishte faturime shumë të larta. Nisur nga kjo, Drejtoria Kundër Krimit Financiar, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Drejtorinë e Policisë se Qarkut Lezhë kanë përfunduar me sukses operacionin e koduar “Energjia e ndërprerë”, ku arrestuan në flagrancë 45-vjeçarin Viktor Ujka, kryetari i Degës së Shitjes së OSSH-së në Lezhë, me arsim të lartë, si dhe faturistin dhe specialistin për ndërprerjen e energjisë Gjovalin Prenga, 57 vjeç. Sipas burimeve nga policia, arrestimi në flagrancë i tyre u bë ditën e djeshme në zyrën e OSSH-së, dega Lezhë, pasi i kanë marrë subjektit tregtar shumën e 500 mijë lekëve si ryshfet për muajin gusht, ku disa ditë më parë i kishin marrë edhe 300 mijë lekë, në këmbim të lidhjes së energjisë elektrike. Të arrestuarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›