BE: “Do mbajmë qëndrim ndaj çdo forcë politike që s’bashkëpunon për integrimin”
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi i çoi dje presidentit të republikës apelin e fundit të ndërkombëtarëve ndaj forcave politike që po refuzojnë të bashkëpunojnë për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Brukselit, duke bërë të qartë izolimin e opozitës, nëse ajo do vijojë me kursin e saj ksenofob
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, ka shprehur dhe njëherë optimizmin e tij se situata politike në Shqipëri do marrë një zgjidhje konstruktive.
“Në këtë situatë të stërzgjatur ngërçi politik, është e domosdoshme ulja e tensionit politik dhe nisja e menjëhershme e dialogut politik institucional mes palëve dhe gjetja e vullnetit të sinqertë për kryerjen e reformave shumë të rëndësishme si ajo zgjedhore, në sistemin e drejtësisë, etj, që do të mundësonin vazhdimin e rrugëtimit integrues evropian të vendit dhe do të shërbenin si provë pjekurie e klasës politike shqiptare para bashkësisë ndërkombëtare”, deklaroi Sequi, pas një takimi me Presidentin.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi, vuri në dukje faktin se “Shqipëria nuk i ka plotësuar 12 përparësitë të kërkuara nga Evropa e Bashkuar, prandaj është shumë e rëndësishme që si mazhoranca ashtu edhe opozita të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, përndryshe perspektiva evropiane e vendit tonë rrezikon të mbetet ende larg aspiratave dhe interesave madhore të popullit shqiptar”, tha ai.
Gjithsesi, theksoi ambasadori Sequi, Bashkimi Evropian dhe institucionet e saj mbeten të gatshme jo vetëm të japin ndihmesën dhe përkrahjen e tyre në drejtim të kryerjes së reformave të nevojshme dhe gjetjes së vullnetit të munguar, por edhe t’i ripërsërisin me forcë kritikat dhe vërejtjet e tyre, me synim që klasa politike shqiptare t’i rikthehet përparësisë së axhendës integruese evropiane.
Pas mbylljes së zgjedhjeve në Tiranë, zyrtarët e Brukselit dhe jo vetëm kanë bërë thirrje politikës shqiptare mazhorancës dhe opozitës që të nisin dialogun mes tyre, për reformimin e ligjit të zgjedhjeve, por edhe të reformave të tjera të rëndësishme kusht për integrimin e vendit që kanë mbetur pezull për shkak të ngërçit politik që pasoi zgjedhjet parlamentare të 2009.