“Koalicionit, ‘Aleanca për Qytetarin’ do të konsolidohet edhe më tej”

PD, katër fitore radhazi
Kryeministri Berisha la të kuptohej dje se mazhoranca do konsolidojë edhe më tej koalicionin. Ai vuri në dukje se të katër fitoret radhazi të Partisë Demokratike, janë fryt i doktrinës së koalicionit. “Zgjedhjet mbaruan. 140 mijë vota më shumë për këtë koalicion janë një përgjegjësi e madhe për mazhorancën. Së pari, konsolidimi i mëtejshëm i koalicionit. Të katër fitoret tona me radhë kanë në themelin e tyre shpirtin e koalicionit. Të dyja koalicionit hynë në këto zgjedhje me një listë aleatësh. Madje aleanca e vetmisë shpalli se kishte 2-3 aleatë më shumë se ne në listë. Por cili ishte koalicioni? Partia Demokratike la për aleatët e saj 10 herë më shumë komuna e bashki, sesa krahu i vetmisë. Ata lanë zona të lira gjithsej 9 komuna, ndërsa ne lamë zona për aleatët gjithsej 90 komuna e bashki. Nuk mund të kërkohet luajalitet, në qoftë se nuk e dëshmon vetë. Luajalitet të plotë dhe vlerësim të merituar për ata, me të cilët bashkë qeveris. Por, në rast se për numër njësish, ne lamë për koalicionin 10 herë më shumë sesa krahu tjetër, për numër zgjedhësish, ne lamë për koalicionin 18 herë më shumë. Aleanca e vetmisë u la aleatëve të saj zona me 52 mijë zgjedhës në total, ‘Aleanca për Qytetarin’ u la aleatëve zona me një total prej 920 mijë zgjedhës. Është në kënaqësinë time performanca e shkëlqyer e këtij koalicioni dhe nuk jam absolutisht dakord, asnjëherë, me disa sherrnaja të vogla që për të hequr përgjegjësinë nga vetja, shohim se mos e gjemë kund tek aleatët. Çka nuk qëndron. Aleatët, në analizë elektorale, kushdo që ta bëjë kanë performuar në mënyrë të shkëlqyer. Kjo përbën një bazë, një detyrim për konsolidimin e mëtejshëm të kësaj Aleance, zgjerimin e saj dhe ecjen me vendosmëri drejt zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013. Ne kemi një leksion të nxjerrë nga qytetarët shqiptarë. Shqiptarët duan koalicione dhe dua t’ju garantoj se, në rast se përpjekjet aventuriere dy vjeçare të dhunës të çdo natyre dështuan, një nga faktorët kryesorë ka qenë spektri i gjerë i koalicionit, morali dhe vlerësimi që qytetarët shqiptarë kanë për koalicionin. Ndaj me durim e përkushtim duhet të ecim drejt zgjerimit të mëtejshëm të tyre, duke dëshmuar se ne jemi forcë, para së gjithash, e vlerave morale dhe jo e makutërisë pushtetare”, tha kryeministri.
...