E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Duhet dialog, jo bojkot për të gjetur zgjidhje politike



Bashkimi Evropian i bën sërish thirrje Tiranës zyrtare t'i japë fund krizës politike. Këtë herë është përfaqësuesja e lartë për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në BE, Catherine Ashton, e cila pasi vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, kërkoi dhënien fund të bojkotit dhe zgjidhjen e ngërçit politik. Zv.presidentja e Komisionit Evropian po zhvillon një tur në rajonin e Ballkanit, i pari që nga momenti që ajo mori këtë post. Megjithëse Tirana nuk do të jetë pjesë e axhendës së saj, Ashton iu drejtua autoriteteve shqiptare gjatë një daljeje përpara mediave në Beograd. Sipas saj, vitet e fundit edhe Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm, megjithatë vështirësitë aktuale politike po rrezikojnë përparimin e mëtejshëm. "Më duhet të them me sinqeritet se jam mbështetëse e fortë e dialogut politik dhe jo bojkotit, si rrugë për të gjetur zgjidhje politike" u shpreh Ashton. Zyrtarja e lartë e Brukselit u ndal në të njëjtën kohë edhe në procesin e liberalizimit të vizave mes Bashkimit Evropian dhe dy vendeve të fundit të mbetura në rajon që nuk kanë përfituar ende, Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina. Sipas saj, autoritetet po punojnë me dy qeveritë, që ato të përfitojnë sa më parë heqjen e regjimit të vizave. Në të njëjtën kohë Ashton garantoi se për Tiranën dhe Sarajevën nuk do të ketë kritere shtesë, veç atyre të parashikuara në udhërrëfyes. Aktualisht në Shqipëri, ekspertët e Komisionit Evropian janë duke parë nga afër plotësimin e kërkesave. Deri tani është kaluar me sukses kontrolli në bllokun 1 të udhërrëfyesit, që i përket dokumenteve të identifikimit, ndërkohë që gjatë këtij muaji do të kontrollohen kushtet e përcaktuara në bllokun 2 dhe 3 që kanë të bëjnë me migracionin e paligjshëm dhe rendin publik e sigurinë. Ndërsa për bllokun e katërt (marrëdhëniet e jashtme dhe të drejtat themelore) kontrolli do të jetë më i thjeshtë, pasi ka të bëjë me miratimin e disa ligjeve nga autoritetet shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›