E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS në Kuvend, hetim sipas Kushtetutës”



BLEDAR HOTI

Opozita duhet t’i japë fund bojkotit të Kuvendit dhe se hetimi parlamentar duhet të realizohet në përputhje me Kushtetutën shqiptare dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares ka mbajtur këtë qëndrim pas takimeve të veçanta të zhvilluara në Vjenë me kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe me kreun e PS-së, Edi Rama gjatë zhvillimit të punimeve të kësaj Asambleje. Në njoftim zyrtar theksohet se në vijim të këtyre takimeve, Presidenti Soares konfirmoi mbështetjen për vlerësimin e OSBE-së për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Deklarata paraprake, pas zgjedhore e OSBE-së e datës 29 qershor, vlerësonte që zgjedhjet patën përmirësime por gjithashtu u vunë re dhe shkelje. “Misioni i OSBE u kryesua nga Zv. Presidenti i AP Wolfgang Grossruck, i cili ka shumë eksperiencë. Ndërsa vuri re përmirësime, ai dhe ekipi i tij, rreshtuan një sërë çështjesh të rëndësishme që kishin nevojë të adresoheshin. Akuzat për vjedhje elektorale të bëra nga opozita, duhet gjithashtu të shihen,” tha Soares.
Presidenti i Asamblesë, një përfaqësues i së majtës në këtë institucion, u bëri thirrje deputetëve të zgjedhur të opozitës të zënë menjëherë vendet e tyre në Parlament. “Në interes të stabilitetit, dhe në mënyrë që të ecet përpara me dialog dhe pajtim, u bëj thirrje të gjithë kandidatëve të zgjedhur që të pranojnë mandatet e tyre sa më shpejt në Parlament. E mirëpres vullnetin e të dy palëve për të marrë pjesë në një komision parlamentar që do të ndërmarrë një hetim të plotë të zgjedhjeve, duke respektuar Kushtetutën dhe vendimet relevante të Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Soares. Në vlerësimin e 29 qershorit 2009, vëzhguesit thanë se zgjedhjet bënë progres të dukshëm në drejtim të procedurave të regjistrimit dhe identifikimit të votuesve të rinj dhe në adoptimin e kornizës juridike të përmirësuar. Por vëzhguesit vunë re gjithashtu, se këto përmirësime u futën nën hije nga politizimi i aspekteve teknike të procesit dhe shkeljeve që u vunë re gjatë fushatës, të cilat cenuan besimin publik në procesin elektoral. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli ka bërë publike dje në faqen zyrtare të Kuvendit një deklaratë të Soares dhënë për mediat. “Ne mbështesim plotësisht raportin e dorëzuar në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së. Unë mendoj se është e rëndësishme të deklarojmë qartë, se duhet që të gjithë të zgjedhurit të hyjnë në Parlament. Kjo është sigurisht thelbësore, pavarësisht ndonjë ankese që mund të ketë. Deputetët e zgjedhur duhet të hyjnë në Parlament, sepse ekziston rreziku që nëse deputetët e PS nuk hyjnë në Parlament javën e ardhshme, mund të humbin mandatin e tyre. Kjo do të ishte e tmerrshme, duke pasur parasysh atë që ka ndodhur gjatë 20 viteve të fundit, në vende si Shqipëria”, shprehet Soares. Ndërsa ka theksuar se “është e qartë që mund të ngrihet një komision hetimor, që sigurisht respekton ligjet në fuqi dhe që mund të jetë mjaft i dobishëm. Pra, nëse kjo do të ndodhë nesër ose më pas, ne nuk mund ta dimë, por ne duhet të dalim me një deklaratë të qartë.
Unë do t’ju kërkoja të gjithëve të mbështetni dhe të kontribuoni në këtë deklaratë dhe jo duke u bazuar në spekulime, por duke u bazuar në vëzhgimet tona dhe të Alce Hastings dhe Wolfgang Grossruck, të cilët kanë qenë në terren”. Kjo do të kontribuonte në demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Pavarësisht nga pikëpamjet tona politike, ne mendojmë se është shumë e rëndësishme të tregojmë mbështetjen tonë dhe të tregojmë një herë e mirë se me kemi besim tek ky proces. Ndërsa Zv/Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE, Wolfgang Grossruck, sipas Alsat TV, ka deklaruar se “konkluzioni ynë është se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe në rrugën e drejtë të një demokracie të plotë. është për të ardhur keq që opozita nuk po merr pjesë në Parlament. Pjesë e pjekurisë demokratike është edhe të pranosh rezultatin e zgjedhjeve, dhe shpresoj që partia e opozitës të marrë sa më shpejt pjesë në Parlament. Kjo është e vetmja rrugëdalje për të zhvilluar më tej demokracinë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›