E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pistoleta në banesën e ish-zyrtarit të Gardës



TIRANE - Ish-shefi i Prokurimeve në Gardën e Republikës, Tahir Imami, i arrestuar me akuzën e abuzimit në tenderin e uniformave dhe i liruar nga burgu nga Gjykata e Lartë, veç akuzës për korrupsion, merret i pandehur edhe për armëmbajtje pa leje. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme thanë dje se grupi i hetimit ka përfunduar verifikimet e nevojshme për katër armë, tip pistoleta të gjetura gjatë kontrollit në banesën e ish-zyrtarit të Gardës së Republikës. Sipas Prokurorisë, armët nuk ishin të pajisura me asnjë leje apo dokument, e veç kësaj nuk kishin asnjë lidhje me detyrën që ish-shefi i Prokurimeve kryente në Gardën e Republikës. I dyshuari Tahir Imami u arrestua më 22 dhjetor 2009 bashkë me disa zyrtarë të tjerë dhe tre biznesmenë, në lidhje me abuzimet në tenderin me vlerë 175 milionë lekë të rinj. Pas arrestimit, policia zhvilloi një kontroll në banesën e të dyshuarit duke gjetur katër pistoleta pa leje. Akuza e armëmbajtjes nuk i ngrit menjëherë për shkak të funksionit që kishte ish-zyrtari i Gardës, por pas verifikimeve rezultoi se armët nuk kishin leje dhe nuk kishin të bënin me detyrën. Sipas përgjimeve të Prokurorisë, ish-shefi i Prokurimeve të Gardës akuzohet se ka marrë një qese të zezë nga biznesmenët që kishin konkurruar në tenderin e uniformave. Vetë Imami ka mohuar akuzën duke thënë se ka marrë para borxh, por jo ryshfet. Për këtë çështje janë arrestuar shtetasit: Bujar Murati, Drejtor në Ministrinë e Brendshme (në arrest), Redi Popescu, specialist në Ministrinë e Integrimit (në arrest), Artan Berberi, pronar i Kompanisë MALBERTEX (i liruar), Jani Gjergjefi, pronar i Kompanisë GJERGJEFI (i liruar), Agur Sadiku, pronar i Kompanisë SADIKU (i liruar) dhe biznesmeni Ilir Sula (në arrest në Bullgari).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›