E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji Antimafia, kthen sekuestrot e dështuara



Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke verifikuar mundësinë e përsëritjes së një sërë kërkesash për sekuestrim pasurie të personave të akuzuar për krime, si trafiqet apo organizatat kriminale. Pak kohë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri Antimafia, Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila humbi gjyqet në disa kërkesa për sekuestrim pasurie, për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë që nxori jashtë loje ligjin e mëparshëm, po shqyrton mundësinë e përsëritjes së disa procedimeve. Pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, shpallur në datë 25 janar 2007 i cili mori fuqi unifikuese, Prokuroria ndeshi në vështirësi lidhur me bllokimin e pasurive të personave të akuzuar kryesisht për trafik droge. Ky vendimi i Gjykatës së Lartë ishte shkaku kryesor që solli hartimin e një ligji të ri për bllokimin e pasurive të vendosura në rrugë kriminale, i njohur ndryshe si ligji Antimafia. Risia e ligjit, që në formën e vitit 2009 tejkaloi vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë, është se bllokimi i parisë mund të bëhet edhe për persona që nuk i janë nënshtruar një procedimi penal, në rastet kur ka dyshime se ata janë implikuar në trafiqe, organizata kriminale, vepra terroriste etj. Pikërisht kushtet dhe mundësitë e reja që parashikon ligji Antimafia, janë bërë shkak që organi i akuzës së Krimeve të Rënda të rivlerësojë edhe njëherë nëse në çështjet që ka në hetim ka vend për zbatimin e ligjit Antimafia. Sipas specialistëve ligjorë, mësohet se ligji Antimafia, i cili hyri në fuqi në 24 janar 2010, nuk ka efekt prapaveprues, pra ai nuk mund të zbatohet për ata persona që kanë kryer krimin para miratimit të ligjit. Ai ndërkohë mund të zbatohet në rastet e atyre personave që vazhdojnë krijimin e pasurisë së paligjshme pas miratimit të paketës ligjore në fjalë. Vendimi i Gjykatës së Lartë i janarit '07 ka dështuar disa kërkesa të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për sekuestrim pasurish kriminale që ishin në proces, në shkallën e Parë apo në Apel. Ndërkohë, një numër kërkesash nuk u paraqiten fare në gjykatë për efekt të vendimit, pasi apriori pritej rrëzimi i tyre. Vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë hiqte sekuestron mbi pronat e dyshuara kriminale në rast se nuk provohej se personi i dyshuar i ka vendosur ato pas fillimit të procedimit penal ndaj tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›