Meta: Nuk jemi vend për eksperimente, t’i hapin kutitë në vendin e tyre
ADI SHKEMBI
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta deklaron se të huajt nuk duhet të bëjnë eksperiment në Shqipëri, duke propozuar hapjen e kutive, pasi kjo synon në thelb falimentin e shtetit ligjor. "Maxhoranca qeverisëse di t'i lexojë shumë mirë mesazhet e ndërkombëtarëve. Dhe mendoj që, qëndrimi ynë në lidhje me këtë çështje është shumë konstruktiv dhe parimor. Ky është një qëndrim shumë i qartë. Në qoftë se dikush këtu dëshiron të bëjë një eksperiment, i cili në thelb synon falimentimin e shtetit ligjor dhe sistemit kushtetues në vend, e ka shumë gabim. Le të hapë një herë kutitë në vendin e tij dhe pastaj le ta bëjë këtu. Sepse Shqipëria nuk është vend eksperimentesh", tha Meta. Kryediploamti, në konferencën e djeshme për shtyp theksoi se "është pikërisht ky shtet dhe sistem ligjor, i krijuar me kaq vështirësi dhe sakrifica për të arritur në këtë stad ku jemi sot, që na ka bërë anëtarë të NATO-s dhe që na ka futur në një fazë të re zhvillimi dhe integrimi në raport me vendet e BE-së". "Dhe të jeni të sigurt se asnjë ndërkombëtar nuk mund të përkrahë një precedent antikushtetues në Shqipëri që mund të cenojë gjykatat, sepse kjo do të thotë që ky do të shërbejë si një precedent destabilizues si për vendet e rajonit apo edhe vendet e tjera, ku OSBE dhe ODHIR janë prezentë. Kjo do të thotë se edhe vendet e tjera ku nuk pranohen zgjedhjet, pra ku nuk pranohet raporti i certifikimit të zgjedhjeve nga OSBE-ODHIR, mund ta përdorë këtë precedent tepër negativ në interesin e vet, duke destabilizuar vendin pasi të jenë bërë zgjedhjet, dhe pasi të jetë shprehur gjykata, dhe pasi të dalë raporti i OSBE-ODHIR. Askush nuk mund të përshëndesë dhe të mbështesë një pretendim antikushtetues që cenon pavarësinë e gjykatave. Dhe kjo është thelbësore për të vlerësuar një vend demokratik", theksoi kryediplomati. Meta vlerësoi deklaratën e fundit të OSBE-së, e cila sipas tij kërkon dhënien fund të bojkotit dhe kthimin e opozitës në Parlament. "Kemi një vlerësim shumë të qartë nga përfaqësuesit më të lartë të OSBE-së që rikonfirmon vlerësimin e raportit të OSBE-ODHIR për zgjedhjet e 28 qershorit në vendin tonë dhe njëkohësisht kërkon fundin e bojkotit dhe uljen e menjëhershme të deputetëve të opozitës në Parlament. Kjo edhe përmes një hetimi të pretendimeve të opozitës, lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit, gjithnjë duke respektuar Kushtetutën dhe pavarësinë e gjykatave", tha kryediplomati. Ai kritikoi në të njëjtën kohë qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili sipas Ministrit të Jashtëm kalon në frymëzime kaotike dhe anarkiste që nuk kanë lidhje me një vend demokratik anëtar të NATO-s. "Deklarata e z. Rama është shumë e gabuar, sepse për herë të parë në Shqipëri zgjedhjet u bënë si asnjëherë tjetër nga një Kolegj Zgjedhor, i cili u pranua si "gjykata supreme" nga z. Rama dhe z. Berisha. Dhe për herë të parë, anëtarët e këtij Kolegji Zgjedhor ishin gjykatësit, të cilët u zgjodhën me konsensusin e plotë të z. Rama", theksoi më tej Meta.