Nano: Rama nuk sjell dot PS në pushtet
Ish-kryeministri i qeverisjes së Partisë Socialiste, Fatos Nano, theu heshtjen pak ditë para fillimit të fushatës elektorale, duke shprehur mendimin për zgjedhjet e 28 qershorit. Ish-kryetari i PS-së pranoi publikisht se nuk do të jetë pjesë e listës për deputet dhe nuk do të pranonte asnjëherë të bëhej pjesë e një kategorie përfaqësuesish siç po paraqet aktualisht PS-ja me emra dhe kandidatë, të cilët nuk kanë asnjë kontribut në PS. Në vlerësimin e Nanos, gjatë këtyre katër viteve, PS-ja ka degraduar, është përçudnuar, është deformuar dhe kjo për faj të keqdrejtimit të Edi Ramës, i cili po largon vlerat nga PS-ja dhe po afron figura të cilat janë pa identitet, njerëz që nuk kanë as rekord publik në vend. Ish-kryetari i PS-së deklaroi se, pavarësisht se nuk ka qenë shumë publik gjatë këtyre katër viteve, ai nuk e ka ndërprerë asnjëherë veprimtarinë e tij politike. Ai pranoi gjithashtu se, megjithëse nuk është kryetar zyrtar i PS-së, baza e partisë vazhdon të mbajë kontakte të vazhdueshme me liderin e saj historik, i cili është i informuar për zhvillimet në kampin rozë. Sipas Nanos, në listat e PS-së po futen njerëz që kanë turp nga e kaluara e tyre. Kjo listë, thekson ai, është promotore e interesave personale. "Edhe përfaqësuesit me të cilët kam drejtuar dhe bashkëpunuar, u shpreh Nano, janë në një gjendje të mjeruar përballë kundërshtarit politik dhe kjo vihet re në debatet politike, ku nuk shfaqet asnjë formulë, asnjë projekt, asnjë strategji konkrete. "Një parti pa memorie, u shpreh Nano, është një parti jokonkurruese". "Kjo parti, me këta njerëz të rinj, nuk sjellin asnjë gjë pozitive dhe nuk mund të sjellin opozitën në pushtet", u shpreh Nano. Duke përforcuar faktin se ai nuk është larguar asnjëherë nga politika, Nano theksoi se Rama është kryetari zyrtar i PS-së por jo njeriu që promovon vlera për këtë parti dhe aq më pak për ta sjellë në pushtet.