Zgjedhjet, Dule pakt me Bollanon
Stuhia e krijuar nga vendimi i marrë prej kryesisë së PBDNJ-së për të kaluar majtas në zgjedhjet e 28 qershorit, duket se nuk është kaluar lehtë nga anëtarët e kësaj force politike. Çdo ditë deklarohen dorëheqje dhe largime nga partia, duke iu bashkuar PD-së, por kjo situatë nuk e ka shqetësuar aspak kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili dje ka qenë i drejtpërdrejtë në deklaratën e tij. Në një konferencë për shtyp, Dule tha se të gjithë ata drejtues të PBDNJ-së, të cilët do të rezultojnë në listat e PD-së, do të largohen nga partia duke paralajmëruar kështu nënkryetarin e kësaj force politike, Kosta Barka, emri i të cilit diskutohet për të qenë pjesë e listës për Qarkun e Vlorës nën siglën e PD-së, apo Spiro Kserën. "Natyrisht, në rast se një drejtues i PBDNJ-së, cilido qoftë ai, preferon një forcë tjetër politike, përpara se t‘i bashkëngjitet asaj, është në nderin dhe në moralin e tij që të paraqesë dorëheqjen pranë PBDNJ-së. Nëse do të kemi fakte të tilla ligjore me mbarimin e afatit të depozitimit të kandidaturave, natyrisht vepron vetvetiu statuti dhe çdo drejtues i partisë sonë, që ka preferuar një forcë tjetër, është i vetëmënjanuar", nënvizoi kryetari i PBDNJ-së në prononcimin e djeshëm për median. Dule nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me shoqatën "Omonia" dhe shoqatën e vllahëve të Shqipërisë pak orë përpara përmbylljes së afatit të dorëzimit në KQZ të listave të kandidatëve për deputetë. Kategorik në qëndrimin e tij për të larguar nga gjiri i "Omonia"-s të gjithë ata që kalojnë djathtas, ka qenë edhe kreu i kësaj shoqate, Vasil Bollano. Ai la të kuptohet se nëse nënkryetari Spiro Ksera do ta bëjë një veprim të tillë, pra do të jetë pjesë e listës së Gjirokastrës nën siglën e PD-së, atëherë ai është vetvetiu i përjashtuar. Bollano mohoi zërat se ai do të largohet nga bashkëpunimi me PBDNJ-në, duke theksuar se vetë prezenca e tij në këtë takim konfirmon të kundërtën. Gjithsesi, Bollano vuri në dukje se në këto zgjedhje nuk do të kandidojë për deputet. Ndërsa kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, duke vlerësuar bashkëpunimin me "Omonia"-n, tha se partia që ai drejton do të dalë me lista të përbashkëta deputetësh me "Omonia"-n në Gjirokastër dhe në Korçë, ndërsa bashkëpunimi me shoqatën e vllahëve të Shqipërisë do të jetë në Rrethin e Korçës. "Nënshkruam sot marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadrin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Nuk është se kjo përbën një lajm, nuk është një situatë e re, bashkëpunimi me bashkimin demokratik të komunitetit etnik grek, ‘Omonia‘ dhe me vllahët. Pavarësisht se unioni është në vitin e parë të ekzistencës në formën e unionit të vllahëve të Shqipërisë, tradicionalisht ka pasur një bashkëpunim strategjik", theksoi Dule. Në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ndërroi sërish kurs, duke u shkëputur nga koalicioni i djathtë për t‘u bërë pjesë e koalicionit të së majtës. Kjo ka sjellë edhe një ndarje të qëndrimeve të kësaj partie, kryesisht në zonat të cilat njiheshin si bastione të saj, në jug të vendit, në Qarkun e Vlorës, Korçës dhe Gjirokastrës. Në këto qarqe, minoritetet pritet të përfaqësohen me nga dy emra, pasi në Qarkun e Vlorës do të kandidojë Barka dhe në atë të Gjirokastrës, Ksera. Në Korçë partia e Ligoraq Karamelos ka dalë si fraksion i PBDNJ-së dhe është rreshtuar në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim.