E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëfehet vrasësi i maturantit: Doja vetëm ta trembja Armirin

Një ditë pas ngjarjes së rëndë që ka tronditur Vlorën, ku një i ri mbeti i vrarë në qendër të qytetit, policia ka një skenar të qartë të vrasjes. Autori, 19-vjeçari Arsi Dajlani, tashmë ndodhet në dhomat e paraburgimit, në pritje të gjykimit për veprën penale të vrasjes. Mësohet se ai është paraqitur vetë në polici, pak para mesnatës, në gjendje të traumatizuar. Ai ka treguar për hetuesit se nuk ka pasur për qëllim ta vriste 18-vjeçarin Armir Danaj, por thjesht ta trembte, që të mos e shqetësonte më të dashurën e tij. Në polici ai ka pretenduar se viktima prej kohësh i ngacmonte të dashurën. "Ne po ziheshim me fjalë dhe nuk e kuptova as vetë se si ndodhi", mësohet të ketë thënë i tronditur para inspektorëve të policisë maturanti Dajlani. Ndërkohë, mësohet se bashkëmoshatari që shoqëronte viktimën, F.S., dëshmitar në vendngjarje, ka treguar versionin e tij të ngjarjes. Sipas tij, Arsi Dajlani e ka thërritur Armirin, nga i cili ka pritur shpjegime se përse i ngacmonte të dashurën dhe më tej të rinjtë kanë nisur të zihen me fjalë. Pasi situata është acaruar, ai ka qëlluar me thikë mbi Armirin, duke e lënë të përgjakur në tokë. "E kishin marrë në telefon më duket, ndaj kishte dalë nga shtëpia", mësohet t‘i ketë thënë policisë shoqëruesi i 18-vjeçarit. Ndërkohë, policia nuk jep asnjë informacion për femrën që shoqëronte 19-vjeçarin Dajlani, me inicialet Sh.S. Dyshohet se kjo e fundit e ka telefonuar Dajlanin përpara ngjarjes dhe e ka vënë në dijeni për shqetësimin e së bijës. Gjithsesi deri tani nuk është prerë asnjë fletë arresti në ngarkim të saj për nxitje të krimit. Mësohet se policia e ka marrë vazhdimisht në pyetje, por pa marrë asnjë masë ndaj saj. 18-vjeçari, i cili u vra një ditë më parë me një goditje thike në zemër, është përcjellë dje për në banesën e fundit, mes dhimbjes së të afërmve dhe shumë bashkëmoshatarëve të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›