Vidhnin dyqanet e zonës, prangosen dy të rinj
Policia e Fierit ka vënë në pranga dy të rinj, të cilët dyshohen se janë autorë të disa vjedhjeve të kryera në zonën ku banojnë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se janë ndaluar Ervin Fejzullau, 25 vjeç, banor i Fierit dhe 15-vjeçari E.B. nga fshati Peshtan, Komuna Frakull. Ndalimi i tyre është kryer në orën 11:00 të mesditës së djeshme. Ndërkohë, burime zyrtare nga policia pohojnë se të rinjtë dyshohet se kanë kryer disa vjedhje në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Në orët e vona të datës 18 maj, ata kanë tentuar që të vjedhin një lokal në vendin e quajtur "Qafa e Koshovicës", me pronar E.F. Të njëjtat burime pohuan se në vendngjarje janë gjetur shenjat e gishtërinjve të këtyre dy shtetasve, gjë që ka çuar në prangosjen e tyre. Po sipas policisë mësohet se brenda këtij muaji janë kryer disa vjedhje në fshatin Zhupan. Brenda një nate janë vjedhur tre dyqane, ndërsa në fillim të muajit maj është vjedhur një farmaci dhe një dyqan po në këtë fshat. Këto vjedhje dyshohet të kenë të njëjtën autorësi dhe pikërisht 25-vjeçarin Fejzullau dhe adoleshentin nga Peshtani.