E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyfishohet numri i gjyqeve për pronat

Pas Zyrës së Regjistrimit të Pasurive, Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Kadastrës, i ka ardhur radha e gjykatës për t‘u "mbytur" në lumin e dosjeve të konflikteve për pronën. Të dhënat që vijnë nga kancelarja e Gjykatës së Fierit, Flora Zoto, tregojnë se numri i ankesave që u janë drejtuar togave të zeza për zgjidhje gati është dyfishuar në krahasim me një vit më parë. Çështjet e pronësisë dhe dëmtimet e saj kanë çuar në përballje me organet e drejtësisë me dhjetëra persona. Sipas të dhënave nga Gjykata e Fierit, për këtë katërmujor të parë të vitit 2009, pranë Gjykatës së Rrethit të Fierit janë depozituar rreth 50 kërkesa me objekt problemet e pronësisë, si dhe cenimit të pronës. Numri i çështjeve që kanë për objekt konfliktin e pronësisë është sa dyfishi i periudhës gjashtëmujore për vitin e kaluar. Duke iu referuar të dhënave nga kancelarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, çështjen e pronësisë në pjesën më të madhe, apo thënë ndryshe afro 60 për qind e tyre, kanë të bëjnë më shkatërrim të pronës nga persona në konflikt. Ndërsa 40 për qind e kërkesave të deritanishme kanë të bëjnë me cenim të pronësisë apo zaptim të tokës bujqësore. Për sa i përket problematikës së çështjes në fjalë, Gjykata e Fierit ka përfunduar pothuaj 30 për qind të tyre. Mes vendimeve të shumta të marra nga Gjykata e Fierit ka qenë edhe ndëshkimi me gjoba apo me rimarrje prone për shumë dëmtues dhe zaptues. "Kanë marrë zgjidhje në masën 20 për qind të gjitha gjykimet për çështjet e zaptimit të tokës së tjetrit, ku i është dhënë e drejta vetëm njërës palë", thotë për gazetën, kancelarja e Gjykatës së Fierit, Flora Zoto.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›