BE: Harrojeni liberalizimin e vizave! Brukseli, i shqetësuar për gazetën “TemA”
Shqipëria ka hyrë në NATO dhe ka në fuqi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (SAA) me Bashkimin Evropian, sipas së cilës të hënën për herë të parë është zhvilluar edhe takimi i Këshillit SAA. Para tri javësh Shqipëria kishte aplikuar edhe për anëtarësim formal në BE dhe është në procesin e heqjes së vizave për udhëtimin e qytetarëve të saj në vendet e BE. Por kjo pamje, që në sipërfaqe duket shumë pozitive për Shqipërinë, ka edhe anën tjetër, atë të dështimeve të mëdha në fushat kyçe, të cilat do të përshpejtonin integrimin e saj në BE. Prapa fjalëve të matura të zyrtarëve të BE qëndrojnë edhe pozicionet dhe porositë e qarta për Shqipërinë se duhet të bëjë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, në respektimin e lirisë së shtypit, por edhe në përmbushjen e obligimeve për heqjen e vizave.
Në një dokument të brendshëm të BE, të përgatitur nga shërbimet përkatëse të Bashkimit Evropian për takimin e Këshillit SAA me Shqipërinë, shihet qartë se Shqipëria nuk ka përmbushur në tërësi shumicën e kritereve nga udhërrëfyesi për heqjen e vizave. BE ka shfaqur shqetësim edhe për gjendjen e medieve në Shqipëri dhe sidomos me injorimin që qeveria i bën urdhrit të gjykatës për të mos lëvizur nga ambientet gazetën “TemA”.
Bashkimi Evropian mirëpret përshtatjen e ligjeve të Shqipërisë me standardet e BE, si dhe përkushtimin për të zbatuar obligimet që dalin nga Marrëveshja SAA. Por kujton se duhet të bëhet më shumë në zbatimin e shumë planeve të veprimit.
“BE nënvizon se një përparim i kufizuar, sidomos në kornizën ligjore, mund të raportohet në luftën kundër krimit të organizuar. Thekson se krimi i organizuar mbetet problem serioz, i cili ndikon në sundimin e ligjit dhe në zhvillimin e biznesit”.
Madje, edhe më ashpër flitet për disa shembuj të qartë të kësaj dukurie në Shqipëri. “Shqipëria mbetet shtet i rëndësishëm i origjinës për trafikimin e qenieve njerëzore, si për shfrytëzim seksual, ashtu edhe për punë të detyruar të grave dhe vajzave. Trafikimi i brendshëm i femrave dhe fëmijëve është në rritje”, - thuhet në këtë dokument, i cili ka karakterin e dokumentit për komunikim të brendshëm të BE dhe nuk bëhet zakonisht publik fare.
Më tej thuhet se “korrupsioni mbetet dukuri e përhapur dhe paraqet problem serioz”.
BE kërkon masa për luftimin e kësaj dukurie, si dhe përkushtim të qartë me afate kohore për marrjen e këtyre masave. Kërkohet edhe llogaridhënie në sistemin e drejtësisë dhe transparencën e financimit të partive politike. BE pa hezitim konstaton se “sistemi gjyqësor në Shqipëri vazhdon të funksionojë dobët”.
BE kërkon respektimin e lirisë së medieve
Organizatat e shumta profesionale ndërkombëtare prej kohësh tërheqin vërejtjen për një situatë “kaotike” të medieve në Shqipëri dhe disa nga këto organizata ua kanë dhënë informacionet e tyre për situatën e medieve në Shqipëri edhe shërbimeve të BE. Kësaj radhe edhe BE, ndonëse në një dokument të vetin të brendshëm të përgatitur për takimin e parë me Shqipërinë, tërheq vërejtjen për një situatë të rëndë, të cilën ndodhet media në Shqipëri.
Edhe pse merr parasysh se në Shqipëri është arritur pak përparim në lirinë e shprehjes, që është edhe pjesë e prioriteteve të Partneritetit Evropian, BE mendon se “Shqipëria tani duhet të përmirësojë implementimin e legjislacionit ekzistues në fushën e lirisë së shprehjes dhe të avancojë drejt dekriminalizimit të shpifjes, si dhe të adoptojë ligjin për aksesin e publikut në informacion dhe transparencën e pronësisë së medieve”.
“BE nënvizon me shqetësim se qeveria e Shqipërisë vazhdon të shpërfillë urdhrin e gjykatës lidhur me të drejtat për pronësi të gazetës “TemA”. BE i kujton Shqipërisë rëndësinë e respektimit të lirisë së medieve, veçanërisht në periudhën para zgjedhjeve, në mënyrë që të sigurohet një mbulim i balancuar nga ana e transmetuesit publik. Liria e medieve është shtyllë themelore e qeverisjes së mirë dhe llogaridhënies”, - thuhet në këtë dokument të brendshëm të Bashkimit Evropian.
Kërkohet më shumë për heqjen e vizave
Në kohën kur nga Komisioni Evropian vijnë porosi se për vendet më të avancuara të rajonit të Ballkanit do të mund të hiqen vizat që nga fillimi i janarit të vitit 2010, gjithnjë e më qartë duket se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina nuk janë mes këtyre vendeve më të avancuara.
Burimet nga disa shtete anëtare të BE kanë thënë se “pa rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk do të merret vendimi për heqjen e vizave”. Konstatimi i BE, se nuk ka përparim të mjaftueshëm në këtë fushë në Shqipëri, nuk premton shumë as në pritjet për heqjen e vizave.
Ndonëse vlerësimi për përmbushjen e kritereve nga i ashtuquajturi “udhërrëfyes” për heqjen e vizave pritet këtë javë nga Komisioni Evropian, nga dokumenti i brendshëm i Këshillit të BE të krijohet bindja se Shqipëria nuk i ka përmbushur në tërësi të gjitha kriteret.
“Shqipëria ka bërë një lloj përparimi në fusha të ndryshme. Më shumë përpjekje duhet të bëhen, në mënyrë që të përmbushen në tërësi kërkesat. BE thekson rëndësinë e arritjes së përparimit të matshëm në fushat e menaxhimit të kufijve, sigurisë së dokumenteve, migracionit dhe azilit, luftës kundër terrorizimit, krimit të organizuar dhe korrupsionit”, - thuhet në dokument. Nga ky fjalor burokratik i BE kuptohet se Shqipëria në këto fusha nuk i ka përmbushur në tërësi kushtet për heqjen e vizave. Disa diplomatë nga disa vende anëtare madje kanë thënë se “Shqipëria është e vetëdijshme se është larg nga përmbushja e kushteve dhe madje vetë ka kërkuar që të shtyhet edhe nxjerrja e raportit”.
Por ka mjaft fusha, ku BE ka fjalë të mira për Shqipërinë, përfshirë edhe bashkëpunimin e saj me fqinjët, rolin konstruktiv në stabilitetin e rajonit, si dhe për pjesëmarrjen e Shqipërisë tashmë në disa programe të Bashkimit Evropian. BE ka kërkuar në takimin e djeshëm të Këshillit SAA të Brukselit që Shqipëria të sigurojë zgjedhje të lira dhe të drejta.
* Gazetar i “Koha Ditore”, Prishtinë