E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: Nuk na komplekson mosha e Gjinushit dhe Ruçit

Nga Luljeta Progni

Flet drejtuesi i Lëvizjes G99, Erion Veliaj

Tashmë jeni së bashku në koalicion me Edi Ramën e PS. Ka nga ata që mendojnë se u përmbush një parashikim i tyre, për shkak se, edhe kur militonit në shoqërinë civile, ju shihnin si një njeri pranë Ramës…

Njerëzve u pëlqen të besojnë se kanë të drejtë, edhe kur nuk është kështu. Është plotësisht e vërtetë që tashmë jemi në një koalicion dhe jemi afër, kemi vizione të ngjashme për Shqipërinë se si duhet të jetë, e begatë, e arsimuar, e drejtë, e mirë. Në këtë pikëvështrim le të na shohin si një ekip. Spekulimet për të shkuarën time në shoqërinë civile mbeten të pasakta, por është e drejta e tyre dhe nuk është shqetësimi im. Ne te G99 i kemi sytë te ndryshimi i thellë dhe punët e mëdha që na presin pas 28 qershorit.

Shumë po flitet në këtë periudhë për zgjedhjet dhe frikën se procesi mund të dëmtohet. Disa e vënë gishtin te Sali Berisha, duke thënë se ai i ka prishur i pari zgjedhjet në Shqipëri. Por jo më mbrapa është dhe Edi Rama. Zgjedhjet lokale, ku është shpallur fitues, janë kontestuar dhe kanë qenë të mbushura me kontestime. Ju, kur ishit si shoqëri civile, nuk para jeni shprehur për këtë gjë...

Nuk dua të bëj avokatin e Ramës, por pyetja juaj nuk më lë shteg tjetër. Nuk më duket as e drejtë, as fort realiste të krahasohen Berisha dhe Rama, kur vjen puna te zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Historia jo fort e largët nuk mund të injorohet aq lehtë dhe as nuk mund të krahasohet ndonjë pakënaqësi e 2007 me thagmën e Sali Berishës në vitin 1996. Raportet e monitoruesve të huaj janë të shkruara të zezë mbi të bardhë. Ne e mbajmë mend se si u dhunua vota e shqiptarëve nga Berisha në vitin 1996, ku disa në zona në Berat kishin votuar 103% e elektoratit. Ky absurditet nuk është përsëritur asnjëherë, askund.

Realisht në politikën shqiptare këtë periudhë parazgjedhore ju jeni një nga risitë. Por si përfaqësues të rinisë a dukeni pak kontradiktorë, kur thoni që nuk do bëni fushatë agresive, ndërsa pothuajse shumica e daljeve tuaja të para publike janë të mbushura me sulme të ashpra ndaj kryetarit të LSI, Ilir Meta?

Është e vërtetë që kemi qenë të rreptë me Ilir Metën, por, ajo që aludoni, nuk është e saktë. Shumica e daljeve tona të para kanë patur për subjekt votën e emigrantëve, arsimin, punësimin rinor dhe sigurinë e jetës. Këtyre çështjeve u mbetemi besnikë edhe sot. G99 i vuri kusht Partisë Socialiste se do t'i adoptonte këto çështje përpara se ne të vendosnim t'i bashkoheshim koalicionit “Bashkimi për Ndryshim”.

Pse keni në qendër të sulmeve Metën dhe pse e etiketoni si politikë të vjetër atë, kur në ekipin tuaj ka dhe emra si Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi?

Mosha është gjendje mendore dhe, kur bëhet fjalë për të rinj dhe të vjetër, kjo është një moshë morale dhe jo e matur në vite. Gjithsesi, në ekipin tonë mosha mesatare është diku rreth 27 vjeç. G99 i është bashkuar koalicionit të majtë, sepse gjen te ky koalicion një partner të qëndrueshëm për një axhendë progresiste, nuk kemi ndërmarrë këtë zgjedhje të vështirë për të mbrojtur X apo Y person, por për të bërë rininë pjesë të vendimmarrjes. Është e palejueshme që një vend me moshën mesatare 28.9 vjeç të mos ketë të rinj të përfshirë në politikë. Kjo është ajo që duam të ndreqim. Ekipi që unë drejtoj nuk mbart asnjë bagazh nga e shkuara dhe nuk kompleksohemi për moshën e partnerëve tanë të koalicionit. Secila forcë vrapon në korsinë e vet, ndajmë të njëjtën pistë, vetëm kaq.

Edhe pak ditë na ndajnë nga përcaktimi i listave zgjedhore. Palët kanë zgjedhur kufijtë ekstremë për t’i bërë ato publike. Disa përfaqësues të shoqërisë civile thonë se kjo mund të sjellë sërish emra të fortësh dhe të inkriminuarish në listat zgjedhore. Ju çfarë komenti keni?

Nuk besoj se do të ndodhë kështu. Sa për listat tona si G99 kemi zgjedhur të rinjtë më të shkëlqyer, me arsim të lakmueshëm dhe me kontribut të vyer për shoqërinë. Kandidatët tanë janë djem dhe vajza të suksesshëm që vijnë në politikë, jo për të marrë, por për të dhënë. Nuk mund të komentoj listat e kundërshtarëve tanë, pasi unë kam rezerva shumë të forta për njeriun që kryeson listën e tyre, kryeministrin aktual që është edhe “i fortë”, edhe i inkriminuar.

A mund të jetë çështja e kartave të identitetit një alibi për dështimin ose shtyrjen e zgjedhjeve?

Jo. Çështja e kartave është serioze, nuk do ta konsideroja si alibi për asgjë. E drejta e votës nuk mund të kushtëzohet në demokraci dhe, nëse kjo ndodh në Shqipëri, nuk është shaka. Nëse ka një alibi pas kartave, këtë po e përgatit mazhoranca që e zvarrit procesin e pajisjes së qytetarëve dhe në këtë zvarritje unë lexoj dëshpërimin e humbjes së pashmangshme që e pret.

Sondazhet e para që janë bërë, ju tregojnë një parti që keni marrë dy pikë përqindje. A është një tregues i mirë për ju?

Sigurisht. Jemi krenarë dhe mirënjohës për mbështetjen. 2% nuk janë pak për një parti që më 9 maj mbushi 1 vjeç. Në më pak se një vit ne kemi arritur të bëhemi forca e katërt në vend dhe ky është një tregues i qartë i mbështetjes së shqiptarëve për të renë në politikë. Ne besojmë se do jemi pikërisht ne brezi që do i japë fund tranzicionit dhe se koha është pikërisht tani.

Së fundmi sondazhi i “Zogby” tregonte se opozita nuk po tërheq të rinj dhe votuese të gjinisë femërore. Analistët thonë se PD po tërheq elektoratin e lëkundur. Ju i besoni këto të dhëna dhe si i komentoni?

Ajo që unë shoh, është ndryshe. Në takimet që ne zhvillojmë në të gjithë vendin sallat dhe sheshet mbushen me të rinj, afro gjyma e tyre janë vajza. Ne jemi një forcë opozitare dhe njëherësh jemi një forcë rinore. Kjo lëvizje nuk na përket ne, por është e qytetarëve, për qytetarët, e të rinjve, për të rinjtë.

Një nga arsyet se pse opozita nuk po shfaq rritje agresive në sondazhe mund të jetë dhe fushata shumë e vakët. E vërtetë?

Teknikisht fushata nuk ka nisur ende. Nëse me fushatë të vakët keni ndërmend një fushatë që nuk i përgjigjet baltës me baltë, shpifjes me shpifje e presionit me presion, atëherë le të jetë kështu. Fushata jonë nuk është kundër individëve, por kundër fenomeneve. Ne nuk dimë të linçojmë njerëz dhe as kemi ndërmend të mësojmë si ta bëjmë këtë. Fushata jonë iu drejtohet njerëzve të ndershëm, me pasion për Shqipërinë dhe me integritet në gjithçka që thonë e që bëjnë.

Si do i përgjigjeshit akuzave se Edi Rama nuk ka bërë asnjë ditë opozitë, por realisht është në pushtet?

Kjo është sofizëm politik. Edi Rama është kryetari i opozitës dhe administratori i kryeqytetit. Nuk do bie në lojën e kundërshtarëve tanë, e kanë nga frika se humbasin dhe nga marazi se nuk kanë ç’të tregojnë për katër vitet e mbrapshta, kur shpërdoruan besimin e shqiptarëve me korrupsion kriminal.

A mendoni se do e dëmtojë koalicionin tuaj fakti që Edi Rama nuk do të jetë në lista?

Sali Berisha do ta përdorë këtë, patjetër. Përderisa nuk ka se si të justifikojë kapjen e shtetit nga familja biologjike, patjetër do përpiqet të zhvendosë vëmendjen. Rama në 2007 mori një mandat të tretë për të drejtuar kryeqytetin, nuk mund të vihet në diskutim që vullneti i qytetarëve të Tiranës është që ai ta drejtojë këtë bashki, deri ditën kur do të marrë detyrën e kryeministrit të vendit.

Një nga problemet themelore të kësaj fushate do jenë financimet e partive. A mund të na tregoni ju se si i gjeni financimet? A mund të bëni transparente disa të dhëna për ne, që nga fakti se kush paguan zyrat e deri te koncertet dhe posterat?

Çdo anëtar i G99 jep një kuotë që varion midis 1000 dhe 5000 lekëve. Kush ka më shumë, jep më shumë. Ne, gjithsesi, mbetemi një lëvizje modeste, me shpenzime minimale. Njerëz të ndryshëm që na mbështesin në çështjen tonë na kanë ndihmuar. Dikush na ofron një lokal ku mund të mblidhemi, dikush një zyrë modeste falas, dikush tjetër na printon posterat gratis. Nuk ka asgjë për të fshehur, qytetarët nuk jetojnë në flluska, ata e simpatizojnë lëvizjen dhe ofrojnë të na ndihmojnë. Ne e kemi pranuar ndihmën e tyre dhe e kemi menaxhuar me korrektesë. Ju jemi mirënjohës të gjithëve që me pak ndihmë po bëni të mundur punën tonë për një ndryshim të madh më 28 qershor.

Sa e gatshme është opozita të pranojë një rezultat në disfavor të saj?

Nëse përsëris se do të fitojmë, këtë e bëj, pasi bindja jonë është e thellë. Vota e shqiptarëve më 28 qershor do të jetë një votë për t'i dhënë fund tranzicionit. Ne padyshim do të pranojmë vullnetin e shqiptarëve dhe besimin e tyre do ta shpërblejmë me punë, punë, punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›