Mitet si pretekste dhe paradoksi i antiçmitizimit
Kjo është pjesa e dytë e esesë së botuar në numrin e djeshëm me titullin “Psikanaliza e antiçmitizimit”
Prirja për ta kategorizuar si nacionaliste ideologjinë zyrtare të trashëguar nga diktatura, prej së cilës rrjedh edhe thelbi botëkuptimor i inteligjencës që rreshtohet kundër çmitizimit, vjen prej një keqkuptimi që ka të bëjë me nacional-komunizmin. Ky keqkuptim vjen për dy arsye kryesore: së pari, për shkak se komunizmi shqiptar identifikohet shpesh me variantet nacionaliste të komunizmit të përhapura në një sërë vendesh të bllokut dhe së dyti, për shkak të ngjyresave nacionaliste romantike që shquanin ligjërimin zyrtar të diktaturës komuniste. Në fakt, një gjë e tillë është e gabuar.
Për sa i përket së parës, komunizmi shqiptar ndryshon shumë në drejtim të qëndrimeve kombëtare në krahasim me atë të vendeve të tjera, kryesisht rus dhe jugosllav. Kjo vjen, mbi të gjitha për arsyen e thjeshtë se komunizmi shqiptar ka qenë jo pak i varur nga këto vende dhe shpesh iu ka shërbyer interesave të tyre. Nga ana tjetër trashëgimia nacionaliste shqiptare ndryshon nga ajo sllave, të cilat kanë qenë mjaft të prira drejt shovinizmit. Në këtë mënyrë, komunizmi shqiptar nuk mund të thuhet se i përket një doktrine nacional-komuniste. Por gjithsesi, komunizmi shqiptar nuk ka qenë aspak i orientuar as nga nacionalizmi shqiptar, madje përkundrazi, ai e ka luftuar atë në mënyrën më të ashpër, aq sa lufta e klasave në Shqipëri, ka qenë më tepër e orientuar pikërisht ndaj nacionalistëve.
Ndërkaq, retorika nacionaliste në gjuhën e propagandës zyrtare enveriste i përket më tepër periudhës së vonë të komunizmit, atëherë kur diktatura, për arsye që dihen, u prish me të gjithë aleatët e dikurshëm dhe vendi u mbyll në një izolim të hekurt, pa asnjë mbështetje nga jashtë. Pikërisht, ligjërimi nacionalist, u përforcua në gjuhën e propagandës komuniste, për të legjitimuar këtë izolim, si edhe vështirësitë e papërballueshme që po kalonte vendi. Natyrisht, retorika nacionaliste ka ekzistuar edhe më parë, por ashtu si edhe më vonë, ajo më tepër është përdorur në funksion të qëllimeve të pushtetit, dhe aspak në funksion të një projekti kombëtar në përputhje me parimet nacionaliste. Pa hyrë në hollësi teknike për të sqaruar përkufizimet përkatëse, theksojmë se përdorimi i kësaj retorike nga ana e pushtetit diktatorial ka sjellë më tepër dëm sesa shërbim ndaj idealeve patriotike. Kjo sepse, ndërkohë që retorika bëhej më tepër patriotike, qëndrimet politike dhe ideore ishin thuajse krejtësisht të kundërta, gjë që ka sjellë konsumimin e nacionalizmit vetëm në fjalë pa u konkretizuar në qëndrime konkrete. Nga ana tjetër, lufta ndaj forcave reale nacionaliste, si dhe deligjitimimi i qëndrimeve të tyre e ka dëmtuar krejt projektin nacionalist, duke sjellë monopolizimin e ligjërimit si dhe imponimin e një projekti të vetëm, atij enverist, i cili vihet mbi interesat kombëtare. Ligjërimi zyrtar gjatë nomenklaturës komuniste në Shqipëri, ka mbartur më tepër elementë të një nacionalizmi folklorik romantik, sesa konkret. Kjo ka bërë që qëndrimet me natyrë patriotike ndaj çështjes kombëtare të mbeten ende edhe sot të mjegullta për vetëdijen kolektive të shoqërisë.
Duhet thënë që klasa intelektuale ka mbetur edhe sot në të njëjtat pikëpamje lidhur me projektin kombëtar, duke mos iu përgjigjur dot siç duhet rrethanave të reja të krijuara në favor të kombit shqiptar. Në thelb, elitat intelektuale shqiptare kanë mbetur po aq jonacionaliste sa ç’kanë qenë në kohën e diktaturës. Historikisht elitat shqiptare kanë mëtuar të ofrojnë një vizion kozmopolit, internacionalist dhe ksenocentrik, duke qenë gjithmonë një hap prapa realiteteve të reja të krijuara.
Prej gjithë kësaj, mund të themi se i gjithë ai shpërthim patriotizmi, i provokuar thjesht nga një vepër e një studiuesi të ri, me gjithë problemet reale që ajo mund të ketë, ishte krejtësisht i tepërt dhe i pakuptimtë. Në tërë këtë histori, duket se ka një ekzaltim kolektiv të çuditshëm të këtyre elitave për të pozuar me petka nacionaliste, ndërkohë që realiteti i qëndrimeve të tyre nuk ka të bëjë me të. Në të njëjtën mënyrë si në rastin e nacional-komunizmit, ky variant propagandistik i nacionalizmit, i mbetur thjesht ligjërimor dhe i pakonkretizuar në qëndrime, është më tepër një përdorim i sentimenteve atdhetare, që ndonëse të mjegullta janë pjesë e ndjeshmërisë kolektive të shqiptarëve, në funksion të legjitimimit të modeleve shoqërore, si dhe të projekteve shoqërore e politike që inxhinierët socialë të elitave të sotme kanë hartuar për të ardhmen e këtij vendi.
***
Debati mbi historinë dhe simbolet kombëtare në Shqipëri, duket se zhvillohet jashtë çdo konteksti doktrinor, duke përballur produktet e doktrinave dhe jo vetë doktrinat. Në një kohë kur disa intelektualë, si p.sh. Fatos Lubonja, kanë hedhur në tavolinë një sërë pikëpamjesh konkrete që argumentojnë se përse mitet duhet të çmontohen nga vetëdija shoqërore, duke përfshirë pikëpamje të tilla si ato të dekonstruktivizmit të Derridasë, nga ana tjetër nuk shohim asnjë polemikë që të tentojë t’u përgjigjet këtyre ideve, por vërejmë sesi debati vijon të ripërsërisë të njëjtin refren, pa dhënë asnjë përgjigje ndaj arsyetimeve të shtruara. Përgjigjet që ndeshen rëndom në shtyp, në libra, në tryeza televizive ose kanë të bëjnë me lavde poetike për heroin kombëtar, ose me argumentime boshe, të tilla si: “gjithë bota i nderon heronjtë e vet, vetëm ne i përbaltim tanët”. Këto lloj arsyetimesh mund të fitojnë duartrokitjet e auditorëve të përgjumur të emisioneve të televizive, por nuk mund të kënaqin asnjë mendje të hapur, që kërkon shpjegime konkrete për tezat e parashtruara. Kjo retorikë nuk synon asgjë tjetër vetëm se ti vërë kapak polemikës, duke përdorur turmat si argument vdekjeprurës. Ky nivel popullor diskutimi duket se ka marrë më tepër natyrë politike, duke prodhuar vetëm ligjërim populist dhe aspak shkencor. Zbritja e shkencës në rrugë, futja e saj në gjirin e masave, nuk bën gjë tjetër vetëm se e shkatërron debatin, duke prishur çdo lloj terreni të favorshëm për reflektim. Në të tilla kushte janë turmat ato që arbitrojnë elitat, duke vendosur përdhunshëm diktatin e tyre, ndaj kulturës, shkencës, filozofisë, mendimit.
Nuk kemi aspak për qëllim këtu të bëjmë apologjinë e çmitizimit, e as të postmodernizmit apo dekonstruktivizmit të Derridasë. Natyrisht, pikëpamje të tilla, ashtu siç meritojnë vëmendjen tonë, meritojnë edhe kritikat e duhura, siç edhe ka ndodhur kudo në botën intelektuale moderne. Pikëpamjet postmoderniste kanë ndezur debate të mëdha kudo ku problemet e modernitetit janë vënë në fokusin e refleksionit filozofik apo kërkimit shkencor. Por, duket se elitat shqiptare janë ende larg zhvillimeve të tilla të mendimit, ndonëse shoqëria shqiptare është afruar shumë me problematikën prej së cilës këto teori kanë dalë. Në debatin konkret, mungesa e përgjigjes ndaj tezave të shtruara, dëshmon për mosnjohjen e tyre nga ana e elitave. E gjithë kjo na flet se këto elita, gugasin ende në ujëra të ndenjura të filozofive të vjetra të dështuara që shekulli i XX i thërrmoi së bashku me makthet dhe iluzionet e tyre, për ti hedhur në këndin e mbeturinave të historisë.
Ndër të vetmit që ka ofruar një gjykim më konkret se përse nevojiten ende mitet nacionaliste, është studiuesi i shkencave shoqërore Enis Sulstarova, i cili, në një shkrim në gazetën “Shqip” shprehte pikëpamjen se mitet nacionaliste mund të vazhdojnë ende të luajnë një rol të dobishëm për sa kohë shqiptarët nuk e kanë zgjidhur akoma çështjen kombëtare. Pa dashur të pohojmë apo mohojmë vërtetësinë e kësaj, na duhet të themi se një arsyetim i tillë është i pranueshëm dhe ai vjen nga një autor që i njeh dhe i pranon tezat e parashtruara. Në shkrime të mëparshme vetë autori i është referuar shpesh postmodernizmit, për të marrë në analizë realitetin kulturor në Shqipëri, ndonëse për rastin konkret ai mban një pozicion disi më ndryshe, i cili natyrisht kushtëzohet nga veçantitë e realitetit shqiptar dhe në përgjithësi atij ballkanik, ku domosdoshmërisht gjërat shihen nga një perspektivë tjetër. Megjithatë, ai mbetet i vetmi zë i arsyeshëm në të gjithë këtë manifestim fërshëllimash që rreshtohen në mbrojtje të heronjve nga sulme të tilla imagjinare. Shumica duket e angazhuar jo për të kthyer një përgjigjet e nevojshme ndaj tezave të shtruara, por thjesht për të deligjitimuar moralisht tezat e kundërshtarëve, dhe për tu mohuar atyre të drejtën e ekzistencës.
I ngritur në këtë mënyrë, debati nuk ofron kurrfarë vlere, pasi, edhe sikur të pranojmë se mitet janë të vlefshëm për shoqëritë, ajo çka e bën edhe më problematike çështjen ka të bëjë me mënyrën sesi ata shfrytëzohen dhe vihen në funksionim. Mbyllja e debatit na pengon të ofrojmë një reflektim serioz mbi rolin e simboleve kombëtare, për t’i bërë ata më të frytshëm, nëse i vlejnë zhvillimeve shoqërore. Edhe sikur të mund ti hedhim poshtë tezat çmitizuese, ky debat, të paktën do të mund të na shërbente për të na bërë të ndërgjegjshëm se përse dhe si na shërbejnë mitet, në mënyrë që ti shkundim ata nga pluhuri, duke hedhur më shumë dritë mbi rolin konkret që ata mund dhe duhet të luajnë në rrugën e shoqërisë drejt zhvillimit dhe konsolidimit të strukturave dhe identitetit të saj.
Në të kundërt me këtë, deri më tani, nuk kemi parë asnjë angazhim për ta mbrojtur Skënderbeun nga keqpërdorimet e shumta që i bëhen, nga variantet mit-ndërtuese që nuk i shërbejnë shoqërisë shqiptare. Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se, më tepër se çmitizimi, mitet dhe simbolet kombëtare i dëmton shpërdorimi dhe shfrytëzimi që u bëhet prej grupeve të ndryshme që kanë interesa të tjera nga ato kombëtare në qendër të synimeve të tyre. Në lidhje me këtë nuk kemi parë thuajse asnjë angazhim prej elitave intelektuale, që të ketë në vëmendje mbrojtjen e simboleve kombëtare nga devijimet e panumërta që paraqesin sot një mori grupesh shoqërore, të cilat mëtojnë të na sjellin kumte të reja, duke i përdorur heronjtë në shërbim të interesave të tyre të ngushta.
Më konkretisht, Skënderbeu është shfrytëzuar dhe shfrytëzohet në shërbim të tezave nga më të ndryshmet, të cilat shpesh janë në konflikt me njëra-tjetrën. Në fakt, ai është përdorur historikisht prej çdo force politike e kulturore që ka synuar t’u imponohen shqiptarëve. Vetë historia e mitit të Skënderbeut, historia e kumtit që është nxjerrë prej tij deri më sot, përbën një odise të gjatë, e cila kalon nëpër disa epoka, pa gjetur dot ende prehjen e saj. Ai u mor prej rilindjes nga ikonografia e ndërgjegjes historike katolike të hershme që glorifikonte kohën e tij, si epokën e artë të një rezistence idilike ndaj pushtuesve të pafe orientalë, për ti dhënë më pas përmasa mbarëkombëtare, nacionaliste, të cilat synonin të dëshmonin unitetin e kombit shqiptar, si edhe të kaluarën e përbashkët shtetformuese të pjesëtarëve të tij. Më pas, ai u soll prej regjimit komunist në një variant të ri, në profil sociorealist. Një profil i tillë ka synuar të paraqesë modelin e qëndrestarit të pamposhtur që edhe i vetëm, nuk përkulet në luftë ndaj superfuqive më të mëdha të kohës. Ky konstrukt vihet në funksion të përligjjes së një politike e cila solli një Shqipëri të izoluar si ajo e diktaturës enveriste, por që çan bllokadat imagjinare të paranojës udhëheqëse të kohës dhe qëndron e paepur përballë superfuqive të mëdha imperialiste dhe revizioniste të cilat i kërcënonin ekzistencën.
Pas rënies së diktaturës figura e Heroit Kombëtar është bërë subjekt i një larmie ligjërimesh, të cilat paraqesin pamje të ndryshme ndaj tij. Në masën më të madhe kjo figurë shfrytëzohet në funksion të atashimit identitar me vendet e Evropës Perëndimore, ashtu siç përdoret jo pak edhe nga qarqe të ndryshme intelektuale, të cilat i mëshojnë solidaritetit me popujt fqinjë. Gjithashtu, ai përdoret jo pak në funksion të qëllimeve të vogla konvertuese, të frymëzuara nga aspiratat naive revanshiste të grupeve të ndryshme fetare. Ky variant i cili sheh tek Skënderbeu kryqtarin modern, gjen tek ai frymëzimin për të margjinalizuar shumicën myslimane të shoqërisë shqiptare. Madje, sa për të treguar pamjen qesharake të kësaj tabloje kaotike, kujtojmë se përgjatë këtyre dy dekadave të shtypit të lirë nuk kanë munguar as alternativa kundër-kulturash rinore, të cilat, duke u kapur pas simboleve pagane të Kastriotëve, janë përpjekur ta paraqesin Skënderbeun si hero satanist. Madje për këtë, underground-et muzikore death, i kanë kushtuar jo pak te tekste këngësh. Ndoshta për një pjesë të rinisë shqiptare, ky konstruksion duket më simpatik dhe më trendy, por gjithsesi ajo që mund thuhet nga e gjithë kjo, është se froni i heroit kombëtar në Shqipëri, është ngritur mbi një kullë kulturore babeliane, të kaotizuar nga gjuhët e pafundme të leximit të kumteve të tij.
Në vijim të kësaj mund të themi se nëse e pranojmë nevojën për mite kombëtare, do të duhet që këta të jenë sa më gjithëpërfshirës dhe nga ana tjetër të përfaqësojnë aspiratat më të mëdha të kombit. Në rastin konkret, heroi kombëtar do të duhej të frymëzonte pikërisht aspiratën më të madhe kombëtare siç është integrimi i të gjitha pjesëve të kombit në një hapësirë të përbashkët organike sociale, kulturore dhe politike. Pra, që një mit kombëtar të jetë i pranueshëm dhe në funksion të interesave kombëtare nevojiten dy kushte thelbësore: së pari ai duhet të përfshijë sa më shumë pjesë të kombit dhe së dyti ai duhet të glorifikojë idealin më të lartë të tij. Më tepër se çmitizimi, instrumentalizimi i simboleve kombëtare në shërbim të interesave jokombëtare, është përbaltja më e madhe që mund ti bëhet atyre. Një gjë e tillë do të thotë t’i zhveshësh ata nga vlerat kombëtare për t’i rekrutuar në shërbim të interesave të vockla fragmentare të cilat nuk i vlejnë aspak kombit dhe idealeve të tij. E gjithë kjo shkon përkundër nacionalizmit shqiptar, pasi ajo vendos si primare aspirata të tjera, duke neglizhuar apo vendosur në një plan më dytësor, problemin e pazgjidhur të çështjes kombëtare.
Duke shmangur debatin për vlerën e miteve, na duhet të theksojmë se nëse e pranojmë figurën e Skënderbeut për mit dhe simbol kombëtar, atëherë është e domosdoshme që ai të jetë një simbol unifikues dhe jo selektues që synon ta identifikojë tërësinë kombëtare me një pjesë të saj. Ai duhet të shërbejë si një bosht reference për identifikimin e të gjithë kombit dhe jo si një kriter për të parë tek të tjerët devijancat shoqërore. Përndryshe, ai kthehet në një simbol përçarës dhe diskriminues.
Simbolet kombëtare duhet të jenë gjithmonë gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese. Modelet e shoqërive me karakter thellësisht homogjen dhe përjashtues, tashmë kanë provuar se janë të dështuara dhe problematike. Ato vijnë në Shqipëri si reminishenca të së kaluarës, si zgjatime të botëkuptimeve të vjetra në realitete të huaja, ku ato veprojnë vetëm si viruse. Në këtë mënyrë, që simbolet kombëtare të kryejnë rolin e tyre është e rëndësishme që shoqëria, në radhë të parë elita kulturore, të jetë e qartë për kumtet që këto simbole përcjellin, si dhe për modelet dhe orientimet shoqërore, kulturore e politike të cilave ato u shërbejnë. Përndryshe nëntekstet që iu bashkëngjiten ligjërimeve zyrtare, do të krijojnë efekte krejt të kundërt nga ato të synuara, dhe mitet do të shndërrohen thjesht në armë me të cilat nëngrupet shoqërore synojnë asgjësimin e njëri-tjetrit.
***
Nga sa thamë, duket se problemi nuk qëndron as te nacionalizmi, as te mitet, madje as tek frika prej zbehjes së vlerave kombëtare, por tek vullneti për të zhvilluar një reflektim serioz ndaj temave të tilla. Ka një inkoherencë të madhe në mënyrën sesi kërkohet të mbrohet me çdo kusht historiografia aktuale. Konkretisht, shohim sesi një sërë intelektualësh flasin për nevojën e miteve, ndërkohë që ngatërrojnë nevojat shoqërore me kërkesat shkencore. Edhe nëse pranojmë që mitet mund të jenë të dobishëm në formimin e një shoqërie, kjo nuk do të thotë që shkenca, konkretisht historia, të ngrihet mbi besimet që ato predikojnë, apo të vihet në shërbim të glorifikimit të tyre. E vërteta nuk varet nga dobia dhe shkenca nuk ka për kriter nevojat sociale. Çdo kriter tjetër përveç së vërtetës, është joshkencor dhe nuk i shërben aspak mendimit historik. Në këtë kuptim, edhe tentativa për të parë në tezat demitizuese vetëm angazhime politike devijante apo konspiracione armiqësore, përbën thjesht shmangie prej rrafshit shkencor, epistemologjik apo metodologjik, gjë që vjen për faktin e thjeshtë se teoritë e përdorura janë ideologjike dhe joshkencore.
Në vijim të kësaj, pranimi i miteve si të tillë, aq më tepër kur ndodhemi përballë fakteve historike, krijon një paradoks. Njeriu nuk mund të pranojë bashkekzistencën e njëkohshme të së vërtetës dhe trillimit. Mitet, në këtë mes, nuk mund të jenë konstrukte që ruhen dhe ndërtohen në vetëdije. Nëse flasim për një mit, dhe jemi të vetëdijshëm për këtë, atëherë nuk mund të vazhdojmë të besojmë se gjithçka që e karakterizon atë, është gjithaq edhe një e vërtetë reale. Që në momentin kur pranojmë ose konstatojmë se kemi të bëjmë me mit, objekti në fjalë pushon së qeni i tillë. E vërteta e faktuar në mënyrë empirike, nuk mund të jetë e mitizuar dhe nuk ka nevojë të besohet në të. Kur njihemi me një të vërtetë faktike dhe konkrete, ndërgjegjja jonë nuk mund të pranojë formë tjetër njohjeje.
E vërteta shkencore dhe kumti mitologjik, i përkasin sferave të ndryshme të njohjes. Mitet nuk janë gjë tjetër vetëm se mekanizma për të mundësuar komunikim për sfera të tjera nga ato racionale të njohjes njerëzore. Rrëfimi mitologjik vjen kur njeriu njeh kufijtë e njohjes racionale dhe ky rrëfim plotëson pikërisht boshllëkun që le arsyeja, si një aparat i kufizuar njohjeje. Pikërisht, miti plotëson atë pjesë njohjes dhe perceptimit njerëzor, që e kapërcen dijen empirike dhe racionale. Por, të pretendosh se mitet dhe e vërteta shkencore mund të jenë e njëjta gjë, siç bëjnë sot shumë intelektualë në Shqipëri, është diçka krejtësisht absurde. Këtu kemi të bëjmë ose me një keqkuptim lidhur me vetë mendimin shkencor, me mënyrën e njohjes dhe llojin e të vërtetave që ofron dija shkencore, ose me një keqkuptim për natyrën e njohjes që na ofrojnë mitet. Ose mund të jenë të dyja bashkë. Argumentet e përdorura në këtë rast, se rrëfimi mitologjik përputhet me të vërtetën janë paradoksale. Natyrisht që ajo çka synon të na thotë rrëfimi mitologjik mund të jetë e vërtetë, por nuk mund të jetë një e vërtetë shkencore. Nga vetë natyra, rrëfimi mitologjik nuk interesohet për të vërtetën e dokumentuar mbi heronjtë që paraqet. Ajo që ai ka në vëmendjen e tij, është mesazhi që përcjell si dhe efektet që ky mesazh synon të krijojë tek subjektet të cilave u drejtohet. Vetë fakti që flasim për mit, do të thotë se kemi të bëjmë me disa të vërteta përtej atyre empirike, të cilat janë objekt i njohjes shkencore, dhe ndaj të cilave nuk ka kuptim të besohet. Pranimi i mitologjisë do të thotë në vetvete se të vërtetat empirike janë të pamjaftueshme. Në momentin kur narracioni kalon në një nivel të tillë rrëfimi, ai e kapërcen atë shkencor dhe nuk ka të bëjë më me të.
Kur flitet për çmitizim të historisë, si dhe të një sërë elementëve modernë të jetës sociale, duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë me një proces që ve nën fokus pavetëdijen dhe jo vetëdijen tonë. Ky proces i kërkon mitet në pavetëdije, pasi ata mund të jenë vetëm aty, dhe pikërisht kjo është sfera e veprimit, sferë, në të cilën gatuhen premisat e njohjes dhe perceptimit njerëzor. Çmitizimi, në rastin konkret është një angazhim për të ndriçuar nënvetëdijen, në mënyrë që të njohim kushtëzimet e proceseve tona të të menduarit. E gjithë kjo ka të bëjë më tepër me njohjen e vetvetes, subjektit njohës, sesa me njohjen e objektit të glorifikuar. Fundja ky është edhe roli i filozofisë: të njohë mënyrën sesi funksionojnë proceset e të menduarit, të çlirojë mendjen njerëzore prej iluzionit, duke parë përtej asaj që na ofrohet në shikim të parë. Në këtë mënyrë, dekonstruksioni nuk është gjë tjetër vetëm se një përpjekje për të hedhur dritë në nënvetëdije. Gjatë këtij procesi, miti dej prej nënvetëdijes për tu vendosur në vetëdijen tonë, gjë që bën, që ai të mos jetë më i tillë. Në këtë kuptim, dekonstruktimi është një proces ndërgjegjësimi për ekzistencën e reaksioneve që ndodhin në nënvetëdije, ku mitet janë një faktor i rëndësishëm ndikues, si dhe për faktin që këto procese janë burim i një morie gjykimesh, qëndrimesh, perceptimesh të njeriut, të cilat pranohen apriori prej ndërgjegjes, ndërsa mendojmë se ato na vijnë nga faktet. E thënë ndryshe, ky proces është një përpjekje për të zhveshur vetveten nga ideologjizimi, i cili funksionon pikërisht mbi mekanizma të tillë që kushtëzojnë mendimin tonë.
Në këtë mënyrë, mund të themi që mitet ekzistojnë vetëm në nënvetëdije, dhe pranimi i tyre në mënyrë të ndërgjegjshme përbën një absurditet, për sa kohë, pretendojmë që i kemi dhënë arsyes dhe mendimit shkencor rolin e sunduesit absolut të mendimit njerëzor. Ato krijohen vetvetiu apo si pasojë e veprimtarisë së komunikimit, e cila na bën të ndikueshëm prej mjeteve që shumëfishojnë ligjërimin në një shoqëri. Konkretisht problemi që shtron nevoja për dekonstruktimin e miteve, ka të bëjë me atë çka kultura moderne e krijon në raport me ligjërimin. Të dekonstruktosh mitet, do të thotë ndër të tjera të dezinfektosh ligjërimin, nga krijimi i skemave që ndrydhin mendimin në formatet ideologjikë. Një debat i pranueshëm lidhur me nevojën e miteve në këtë rast, ka të bëjë me perceptimin që kemi mbi shoqërinë. E vetmja gjë ku mund të flitet për nevojën për mitet ka të bëjë me oportunitetin në lidhje me ligjërimin. Mitet në këtë rast, mund të shihen si mekanizma utilitarë për krijimin e reagimeve, sjelljeve, qëndrimeve shoqërore të kërkuara. Ato mund të jenë të frytshme thjesht për faktin se krijojnë rrugë të shkurtra drejt kushtëzimit të gjykimit shoqëror duke lehtësuar kështu punën për imponimin e modeleve të caktuara ndaj shoqërisë. Por gjithsesi, mbetet për tu diskutuar nëse është kjo rruga e duhur për të orientuar shoqëritë drejtë stadeve të tyre më të zhvilluara.
Nga e gjithë kjo, mund të themi se mitet janë forca gravitacionale që veprojnë në nënvetëdije, për të strukturuar botëkuptimet dhe sjelljen njerëzore. Në momentin që bëhemi të vetëdijshëm për to, ata nuk janë më të tillë dhe ne çlirohemi nga dogmat me të cilët ata lidhen. Ky proces, i ngjan shumë metodës së psikanalizës, e cila gjurmon nënvetëdijen duke zbuluar neurozat, për ti bërë më pas ato të njohshme nga vetë pacienti, në mënyrë që ai të çlirohet prej tyre. Vetë psikanaliza i kushton një vëmendje të konsiderueshme mitologjisë, të cilën ajo e trajton në funksion të tezave të saj. Të njëjtën gjë përpiqet të bëjë edhe dekonstruktimi në lidhje me mendimin. Ai mund të konsiderohet një proces terapeutik njësoj si ai i psikanalizës, ku njeriu ndërgjegjësohet jo për neurozat, por për mitet që ushtrojnë presion mbi unin apo dijen njerëzore, duke prodhuar çrregullime të strukturës së të menduarit. Njësoj si në rastin e psikanalizës, shërimi vjen, pikërisht në momentin kur bëhemi të vetëdijshëm për ekzistencën e tyre si dhe për iluzionet që ata i paraqesin vetëdijes sonë.
Në njëfarë mënyre, mund të themi se neurozat janë thyerje të funksionimit normal të psikikës së njeriut. Ato janë si viruse, të cilat thyejnë normalitetin e sistemit, duke krijuar struktura të vogla brenda tij, të cilat janë të huaja për organizmin. Adleri, një prej nxënësve të Frojdit, e shikon problematikën e shumicës së çrregullimeve psikike, në mungesën e unitetit të mendimit të qenies njerëzore. Nga përvoja e tij klinike, ai nxirrte se shumica e problemeve psikologjike, vijnë për faktin se gjykimet, mendimet dhe veprimtaritë e njerëzve nuk harmonizohen me qëllimin e jetës, për të vendosur një tërësi të unifikuar. Në një paralelizëm me këtë, mund të themi se mitet moderne dëmtojnë pikërisht këtë harmonizim të mendimit, dhe rezultati është fragmentarizim i shoqërisë, ideve, vetë qenies njerëzore, gjë që krijon shpesh çrregullim të funksionimit shoqëror. Ideologjitë, nuk janë gjë tjetër vetëm se struktura të tilla, të cilat synojnë të bëhen të aplikueshme duke deformuar tërë organizmin në harmoni me strukturën e tyre. Pikërisht prandaj edhe rezultojnë të jenë provizore, pasi ato janë mish i huaj në natyrshmërinë njerëzore, dhe ndrydhja që ato tentojnë ti bëjnë natyrës njerëzore është afatshkurtër.
Rasti i ruajtjes së miteve edhe pasi e dimë që janë të tilla, si ai i elitave shqiptare, është njësoj si rasti i një pacienti që i pëlqen neuroza dhe nuk do që të shërohet prej saj. Ky paradoks përbën në njëfarë mënyre një formë autosugjestioni, i cili synon të shpërfillë njohjen për hir të asaj që e ka pranuar apriori si të vërtetë. Një gjë e tillë do të thotë të mbrosh sëmundjen duke mos e pranuar si të tillë, por duke e parë atë si shëndet. Një gjë e tillë mund të japë rezultat, por ai mbetet provizor, ashtu siç mbeten të gjitha dogmat ideologjike.
Max Muller një prej studiuesve dhe historianëve më të hershëm të fesë dhe mitologjisë, i konsideron mitet si zhvillime parazitare, të shartuara mbi përfytyrimet themelore të njerëzve, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se i shprishin ato. Sipas tij, mitet lindin nga sëmundje të mendimit. Pa dashur të hyjmë në diskutim për këtë, vërejmë se, përtej asaj që mund të thuhet për shoqëritë tradicionale, kjo duket më se e vërtetë për mitet moderne. Kjo vjen, për arsye se ndërtimi i shoqërive moderne, ndryshe nga ai i atyre tradicionale, ngrihet ekskluzivisht mbi mendimin racional e shkencor. Në këto kushte nuk mund të ketë vend për forma të tilla të strukturimit shoqëror të cilat më së shumti lidhen me besimin, intuitën apo me forma njohjeje të tjera, të cilat janë tejracionale, ndjesore, intuitive, shpirtërore. Në këtë mënyrë, Emile Durkheim e shikon mitologjinë si një ndër elementët thelbësorë të jetës fetare. Në veprën e tij “Format elementare të jetës fetare” ai shprehet se të gjitha mitet, madje edhe ato që i gjejmë si më të paarsyeshmet, kanë qenë objekte besimi. Ishin pikërisht mite të tilla që strukturonin sjelljen njerëzore në shoqëritë primitive apo edhe tradicionale. Prej këtej, mund të themi se vijimi i funksionimit të miteve në shoqëritë moderne, na dëshmon, në njëfarë mënyre pamjaftueshmërinë e racionalitetit për strukturimin e shoqërive njerëzore, por nga ana tjetër, në lidhje me elitat intelektuale, na dëshmon mangësinë e zhvillimit të racionalitetit të tyre. Ato na bëjnë të qartë se botëkuptimet e tyre nuk janë ndërtuar mbi themele racionale, por ideologjike. Ideologjitë janë besimet moderne, dhe mitologjia gjen strehë më së shumti në rrënjë të botëkuptimeve të tilla. Përtej të drejtës së çdo besimi për të ekzistuar, pretendimi për të qenë shkencor prej besimeve të tilla, kthehet në një iluzion, dhe mitet shfaqen vërtetë si simptoma të sëmundjes së mendimit, siç shprehej Muller. Ndryshe nga fetë, në të cilat sfera e veprimtarisë së racionalitetit është e ndarë nga ajo e formave të tjera që krijojnë perceptimin njerëzor mbi botën, këto besime kultivohen nga ngërçe të tilla të dëmshme të mendimit, të cilat robërojnë shpirtrat në funksion të utopive të rrezikshme. Ato shkartisin besimin me shkencën duke ngatërruar jo vetëm sferat e veprimtarisë së tyre, por edhe duke paraqitur njërën për tjetrën.
Në vijim të kësaj, intelektualët, filozofët, historianët, janë për shoqërinë ashtu siç është psikanalisti për njeriun. Ata punojnë për të ruajtur racionalitetin e shoqërisë, i cili krijon ndryshk si pasojë e agjentëve veprues që na vijnë prej nënvetëdijes. Ajo që vërejmë në Shqipëri është se elitat shqiptare punojnë për të kundërtën. Ato nuk përpiqen që ta çlirojnë të sëmurin nga ndrydhjet, por përkundrazi, t’i shtojnë ato, duke i parë si të vetmet mekanizma, me anë të së cilave ata mund ta kontrollojnë sjelljen e pacientit. Kjo situatë është në rastin më të mirë. Realiteti, në mjaft raste na dëshmon se pjesa më e madhe e inteligjencës shqiptare, duket vetë gjithaq e infektuar sa e gjithë shoqëria. Për pasojë vërejmë se e gjithë kjo ka bërë që shoqëria shqiptare të jetë jo pak neurotike. Ndoshta dikush mund t’i referohet bihejviorizmit, dhe të përpiqet të gjejë zgjidhje më pragmatiste për ta kuruar “pacientin”, edhe pa ia hequr burimin e neurozës. Sipas mekanizmave bihejviorale, kjo mund të bëhet duke i ndryshuar pacientit perceptimin mbi atë ç’ka ia shkakton problemin. Në rastin konkret kjo mund të shprehej në prakticitetin që, e kemi më kollaj të modifikojmë mitet për t’i orientuar ato drejt, sesa ta çlirojmë krejtësisht shoqërinë prej tyre. Mbase kjo mund të ketë ndonjë farë vlere, por gjithsesi realiteti shqiptar duket se nuk ndihmon shumë për të mbështetur ndonjë tezë të tillë. Instrumentalizimi i heronjve apo simboleve kombëtare në Shqipëri, flet se këto ngërçe, jo vetëm që nuk po trajtohen si duhet, por ato po shpërthejnë metastazat e tyre kudo, duke bërë që problemet të shkojnë drejt agravimit dhe daljes prej kontrollit. E gjithë kjo duket e pashmangshme, për sa kohë kemi të bëjmë me elita që janë më tepër burim infeksioni ideologjik sesa forca aktive në rritjen e racionalitetit shoqëror.