“Shqiptarët nuk e duan qytetin e fshatin e tyre si Gërdeci, por si Tirana”
Prej 18 vjetësh politika e vjetër e ka kthyer qeverisjen në një lojë që mund ta luajnë vetëm politikanët, ndërkohë që këtë lojë e paguajnë vetëm qytetarët. Unë kam hyrë në këtë garë për t’i ndryshuar rregullat e kësaj loje bashkë me qytetarët dhe për t’i dhënë bashkë me ju në 28 qershor Shqipërisë një qeverisje të qytetarëve, me qytetarët, për qytetarët. Politika nuk është e pistë dhe e neveritshme në vetvete. Ajo ka lindur që në Antikitet, që njerëzit të zgjidhin së bashku probleme që të vetëm nuk i zgjidhin dot kurrë. Shqipëria është e etur për një politikë të re - një politikë që ka përmasën e ëndrrave dhe të shpresave të njerëzve. E kam hasur këtë etje në sytë e qindra-mijëra njerëzve që kam parë anembanë vendit në “Dialogun me Shqipërinë”. Kam njohur nga afër varfërinë, kam parë nga shumë pranë analfabetizmin e përjashtimin social, kam prekur prapambetjen dhe pare me sytë e mi tërheqjen e plotë të shtetit nga detyra në zona të tëra të vendit. Po kam ndjerë gjithashtu një dëshirë të jashtëzakonshme për të kthyer faqen e historisë. Është kjo dëshirë që na bashkon sot të gjithëve, jo për të zhvilluar një fushatë dhe për të fituar një palë zgjedhje, pas të cilave premtimet t’i marrë era e programin ta marrë lumi, po për t’u bërë fuqia e një ndryshimi të ri historik, duke e çuar qeverinë pranë njerëzve dhe bashkuar forcat me ta për të mundur varfërinë, luftuar
***
… Dhe do të ndahemi prerazi, me thikë nga politika e vjetër e abuzimit të skajshëm me pasuritë tona të përbashkëta natyrore, duke i dhënë fund praktikës së komprometimit të së ardhmes të fëmijëve tanë, për t’i hapur rrugë investimeve që bazohen në teknologjitë e së shkuarës. I duam dhe do t’i presim krahëhapur investimet e huaja, për nxitjen e së cilave kemi konceptuar një politikë të re, në një plan të ri veprimi, por nuk do të presim krahët e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, duke i kthyer zonat turistike në sheshe ndërtimi për TEC-e me qymyr apo pyjet e kodrat e bukura të vendit tonë në zgafella për prodhimin e çimentos…..
Kam takuar me dhjetëra-mijëra njerëz në çdo cep të Shqipërisë dhe janë kushtet e rënda të jetës së tyre, perspektiva e mbyllur e fëmijëve të tyre, fatet e tyre të kërcënuara nga plagët e rënda sociale, familjet e tyre të gjunjëzuara nga mungesa për të jetuar me një punë të ndershme, që më kanë bindur, në mish e në shpirt, se Shqipëria reale qëndron përtej së majtës dhe së djathtës. Sa herë mundohemi të hapim një debat të ndershëm mbi plagët që rraskapitin Shqipërinë e njerëzit e saj, marrim mbrapsht baltën e mllefin e një politike që jeton duke treguar gjithmonë me gisht fajtorin përballë dhe jo duke shëruar plagët, ku qeveritë asnjëherë nuk guxojnë të vënë gishtin.
***
Vullkani i korrupsionit që shpërtheu në Gërdec, duke vrarë 26 shqiptarë të pafajshëm, po nxjerr përditë mbi sipërfaqe blozën e oxhakut familjar që qeveris Shqipërinë. Për ta mbuluar këtë blozë nga fytyra e qeverisë së tij, Sali Berisha nxin përditë me zhargonin vulgar të politikës së vjetër modelin tonë të suksesit, Bashkinë e Tiranës, dhe derdh përditë mbi Partinë Socialiste baltën e mllefin e dëshpërimit të tij.
E ka marrë përgjigjen tri herë nga populli i kryeqytetit. Do ta marrë këtë radhë nga populli i gjithë Shqipërisë. Sepse shqiptarët, socialistë dhe demokratë, nuk e duan qytetin e fshatin e tyre si Gërdeci, por si Tirana. Sepse ne që e duam Tiranën edhe njëherë më të mirë se sot, për vete dhe për të gjithë ata motra e vëllezër që nga emigracioni te Tirana kanë krenarinë e tyre, nuk mund ta lenë atë peng edhe një herë tjetër në duart e njeriut që i hapi rrugë Gërdecit, duke i mbyllur sytë e lidhur duart 11 institucioneve të shtetit, për hesap të një biznesi familjar, që është biznesi i tij, i Sali Berishës. Sepse shqiptarët e shqiptaret e vitit 2009, socialistëve e demokratëve të ndershëm të këtij vendi, u duhet një shtet demokratik, i fortë, modern, që nuk punon as për llogari të një familjeje të vetme e as për interesat e një partie, por për tryezën e bukës së çdo familjeje shqiptare dhe për interesat e një Shqipërie të tërë….
***
… Motra e vëllezër, përpara nesh është një mundësi e jashtëzakonshme për të bërë histori, duke treguar se s’jemi as më pak të mençur, as më pak të vullnetshëm, as më pak të gatshëm për të bërë sakrifica sesa fqinjët tanë evropianë. Këtë të vërtetë që njerëzit tanë në emigracion, im vëlla, vëllezërit motrat, djemtë e vajzat e tuaja, e kanë afirmuar në realitetin konkurrues të botës së lirë si individë që sot kanë mundur paragjykimet e asaj bote për shqiptarët, duke jetuar e punuar krah për krah amerikanëve, italianëve, grekëve, gjermanëve, e të tjerëve, për vete e për ekonominë e atyre vendeve të mëdha, është koha ta afirmojmë si një popull i vetëm këtu, në vendin tonë, për vendin tonë.
Të afirmojmë Shqipërinë, së cilës Zoti i ka falur gjithçka na duhet për të jetuar në paqe e mirëqenie, sigurisht të ndarë në pikëpamjet tona se si mund të bëhet më e mira për të gjithë, por të bashkuar në bindjen se nuk ka një Shqipëri të majtë e një Shqipëri të djathtë në konflikt me njëra-tjetrën, por ka vetëm një Shqipëri, ku problemet e dinjiteti i zgjedhësve të majtë e të djathtë, nuk mundet më të anashkalohen për hir të interesave të luftës për pushtet mes politikanëve majtës e djathtas. Ka vetëm një Shqipëri, ku është koha për të kthyer faqen e historisë, duke e kthyer politikën nga një mjet përfitimi për një grusht politikanësh, në një instrument ndryshimi në duart e çdo qytetari e qytetareje. Ka vetëm një Shqipëri, ku asnjë shqiptar e shqiptare s’duhet të ndjehet keq për shkak të moshës, gjinisë, fesë, ngjyrës së lëkurës, prejardhjes krahinore apo përkatësisë partiake a simpatisë politike. Ka vetëm një Shqipëri, ku muret e larta të dasisë së vjetër politike mes njerëzve duhet të bien dhe hendeqet e konfliktit e të sherrit të politikës së vjetër mes përfaqësuesve të njerëzve duhet të mbyllen. Ka vetëm një Shqipëri, ku akuzat e pavërteta ndaj tjetrit nuk quhen burrëri, ku shpifjet për tjetrin nuk quhen virtyt, ku fyerja e tjetrit dhe e njerëzve të tij të dashur nuk quhet guxim.
* Pjesë nga fjala e kryetarit të PS në konferencën për programin