Do të rikthehem pa lejen e Berishës
Kam pasur vetëm arsye parimore në shtator 2008, kur shpreha publikisht vullnetin tim, mbështetur në statutin e partisë, për të qenë pjesë e garës si kandidat për kryetar i degës së Partisë Demokratike të Tiranës.
Kam besuar asokohe sinqerisht se kjo fushatë është një rast shumë i përshtatshëm për të zhvilluar brenda partisë një debat të shëndetshëm, i cili do ta demokratizonte partinë e do ta shëndoshte, duke e përgatitur atë të përballojë sfidën e madhe të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kam besuar kështu se edhe unë vetë, me historinë dhe eksperiencën time politike 20-vjeçare, do të bëhesha më i dobishëm për aspiratat e demokratëve. Në vazhdimësi gjatë këtyre muajve kam ngritur zërin, me synimin e vetëm për të respektuar qoftë edhe një minimum të standardeve. Sot, në përmbyllje të kësaj historie, konstatoj me hidhërim të madh se nuk është zbatuar as edhe një normë e statutit. Rrjedhimisht, ashtu siç u përfshiva në fillim vetëm për arsye parimore, ashtu edhe tani në fund, për arsye parimore po tërhiqem nga gara.
Kam hyrë në politikë në dhjetor 1990, kur jam bashkuar me protestën e parë të studentëve kundër diktaturës. Siç merret me mend, për vetë rrethanat historike, përfshirja ime në politikë kishte vetëm motive idealiste dhe parimore. Këto motive më kanë mbajtur 20 vjet në politikë. Dhe ndaj për arsye thellësisht parimore po deklaroj se largohem nga politika.
Është një deklaratë që e bëj me keqardhje të madhe. Pa shkuar larg në histori, vetëm që nga shtatori i vitit të kaluar, kur shpalla kandidaturën time për kryetar i degës së Tiranës, kam marrë me mijëra mesazhe nga anëtarë të Partisë Demokratike nga Tirana dhe mbarë Shqipëria, të cilët, si demokratë të vërtetë që janë, e përshëndesnin nismën time dhe më kanë inkurajuar në vazhdimësi, të bindur se qëllimi që i kisha vënë vetes dhe platforma që kisha shpallur për t’i dhënë një shtytje të ndershme demokratizimit të partisë, rritjes së pjesëmarrjes së çdo demokrati në politikëbërje dhe vendosjes së një transparence të vërtetë në vendimmarrje, i shërbente vetëm për mirë fuqizimit dhe modernizimit të partisë për ta bërë atë më të aftë të përballojë sfidën e zgjedhjeve që kemi përpara. Keqardhja ime e thellë shkon te këta mijëra demokratë, me të cilët do të kisha qenë i nderuar të vazhdoja veprimtarinë politike.
Në fjalorin tim nuk ekziston fjala “kurrë”. Por e sigurt është se projektet e mia për katër vjetët e ardhshme nuk kanë asnjë lidhje me politikën. Në vitin 2013 unë do të kem saktësisht moshën që kishte Berisha në vitin 1999, kur së bashku ideuam dhe hodhëm në veprim lëvizjen për “Fillimin e ri”
Dhe, për të qenë i qartë deri në fund, emri im në këto zgjedhje nuk do të figurojë në listën e asnjë partie.
Po mbyll kështu sot një jetë politike dhe publike 20-vjeçare. Kam të drejtë të bëj me këtë rast edhe një bilanc të shpejtë. Pa u zgjatur, ndjehem krenar para familjes time në radhë të parë, para dy djemve të mi, bashkëshortes, prindërve të mi të moshuar, dy vëllezërve të mi, tre nipërve dhe dy mbesave, të cilëve nuk u kam lënë asnjë njollë, që do t’i detyronte të rrinin kokulur. Po ashtu, i falënderoj të gjithë të afërmit e mi, të cilët nuk bënë kurrë diçka që i bie ndesh moralit tim dhe do të më detyronte të skuqesha. 20 vjet në jetën e një njeriu janë shumë. U jam thellësisht mirënjohës të gjithëve.
Përfitoj nga rasti t’i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët, të cilët gjatë këtyre 20 vjetëve më kanë besuar e më kanë votuar, qoftë kur kam fituar e qoftë kur kam humbur në sfidat e politikës. Mbështetja e tyre ka qenë dhe do të mbetet deri në fund të jetës time një detyrim i çmuar ndaj tyre dhe ndaj atdheut. Nuk mund të rri pa u përcjellë të njëjtën mirënjohje edhe të gjithë bashkëpunëtorëve të mi nëpër vite, me të cilët kemi ndarë tensionet që sillte përmbushja me nder e përgjegjësive që kisha marrë përsipër. Jam edhe sot i bindur se pa bashkëpunimin e tyre të ndershëm e të palodhshëm, rezultati do të kishte qenë tjetër.