Flamuri, i pari në qarkun e Kukësit
Personazhi kryesor i rubrikës “Antena brenda Familjes”, Flamuri, është caktuar nga zoti Berisha si i pari i listës në qarkun e Kukësit. Të gjithë ata që kanë qeshur për një vit rresht me Flamurin, tani duhet të jenë seriozë. Nuk është më ai budallai i “Antenës”, as ai naivi i pushtetshëm, as ai hajduti i lekëve të vogla që mbeten nga fushatat, as ai trafikanti që bën emërime me lekë, as… Është deputeti i sigurt i PD. Qarku i Kukësit, ku hyjnë Kukësi, Hasi dhe Tropoja, do të ketë nderin ta ketë atë në krye të listës. Pas tij, i dyti do të jetë Isuf Çela, një i afërm i gruas së Berishës, i cili ka qenë administrator i kompanisë që i ka dhënë tri apartamente familjes Berisha dhe i treti, ish-deputeti aktual, Fatos Hoxha.
Redaksia e “Antenës” i uron suksese Flamurit në karrierën e tij politike! Në shenjë respekti ndaj tij po botojmë sot letrën që banorët e fshatit të Flamurit i dërguan disa javë më parë kryeministrit Berisha, ku i kërkonin që Flamuri të bëhej doemos deputet.
I dashtun zotni kryeministër.
Na si komunë e Shishtavecit kemi pritë këtë fushatë elektorale me interes që të nxjerrë djalin tonë kandidat. Shumë herë na është premtu, por asiherë s’është bo. Këtë radhë ne shiqojmë se po na ofrohen kandidatura, të cilat ne nuk i dëshirojmë më. Sipas llafeve të ardhuna deri këtu, ne do të kemi sërish deputet Jemin Gjanën dhe një njeri me emrin Isuf, që s’po ia gjejmë dot mbiemnin. Kena pyetë mos ka kenë më parë me PD, na kanë thanë, jo, është pasë marrë me ndërtime me Edi Ramën në Tiranë. Paska goditë nga kufini me Vuthaj e paska ecë në Tirane. Na këtë gjë nuk e lejojmë ma. Na dum të kemi të parin në listë djalin tonë, Flamurin. Kena marrë masat për këtë punë e jena regjistru si fshat krejt nga dy herë, nji herë në Kukës e nji herë në komunë, në Shishtavec. Ene Flamuri na ka premtu karta nga ato që i keni veç për votime që nuk futen tek ai aparati që dëften të dhënat. Tash po marrim vesh se Flamuri nuk qenka te lista jonë.
Ne po e shkrujmë këtë letër pa folë me Flamurin, pasi ai është modest dhe nuk kërkon kurrë gjana vetë. Por ti e ke detyrim ndaj tij dhe ndaj nesh, me na e sjellë deputet. Ose të parin, ose të dytin. Kjo situatë nuk na pëlqen, pasi kemi kaq vite që s’kena pas askënd aq të madh në Tiranë sa Flamurin.
Do vetë nga Tirana na kanë thanë mos me u nxitu me të shkru q’kët letër ty, por ne e bamë, se të besojmë e të dum ty. Ne e dimë që ti ke planet e tua të mëdha për Flamurin dhe mund ta vendosësh ene në Tiranë, por ne e duam këtu, pasi duam të kemi njeriun tonë në zonën tonë.
Me respekt,
Nderim Noka, Betim Noka, Lirim Noka, Shtrëngim Noka, Feim Noka, Neim Noka, Qerim Noka, Zaim Noka, Sollopet Noka, Mysybet Noka…. Lista e emrave vazhdon.