Të gjitha lidhjet e familjes Berisha më Gërdecin
Ka qenë një javë e mbushur me informacion kjo që po lëmë pas. Për herë të parë mediet kanë kopsitur përfshirjen e djalit të kryeministrit, Sali Berisha, në aferën e Gërdecit, e cila përfundoi në tragjedi të rëndë, e cila shokoi të gjithë shqiptarët, por dhe të huajt. Gjithçka është bërë me dijeni të kryeministrit, Sali Berisha. Gazeta “TemA” po risjell sërish përmbledhje nga shkrimet e kësaj jave për dosjen Gërdeci, ku u zbardhën disa të vërteta shumë të rëndësishme.
Sekretarja e Bumçit: I nisa Shkëlzenit faksin që më dha ministri
11.06.2009
Shkëlzen Berisha, biri i kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, është lobuesi kryesor për kontratën e Gërdecit.
Këtë fakt e përforcon dëshmia e sekretares së ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, dhënë organeve hetimore. Ajo ka konfirmuar se i ka nisur vetë birit të kryeministrit Berisha faksin që i ka dhënë ministri Aldo Bumçi, ku kërkohej mendim për projektvendimin që do i hapte rrugë ndërtimit të Gërdecit. Para disa kohësh gazeta “TemA” botoi faksin që nisej zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë dhe mbërrinte e protokollohej në Ministrinë e Mbrojtjes me shënimin “Për Shkëlzen Berishën”. Kështu, del qartë se ministrat i raportonin birit të kryeministrit, i cili kujdesej që vendimi të kalonte në qeveri.
Dëshmia e ish-sekretares së Bumçit, Anjola Agolli, hedh dritë për këtë pjesë të trishtë të kapjes së shtetit nga biri i kryeministrit.
Ajo e nis rrëfimin duke treguar se edhe pse posti i saj është politik, dhe mund të ishte larguar pas ardhjes në pushtet të qeverisë së djathtë, Aldo Bumçi e mbajti atë sërish në punë. Agolli tregon se mban mend shumë mirë se shkresën me shënimin ia ka dhënë ministri vetë dhe nuk ka ardhur nga ndonjë drejtori tjetër, ndërsa shton se shkrimi me dorë është i vetë Bumçit.
Një gjë të tillë ajo e mban mend shumë mirë, për shkak se në atë periudhë ishte e vetme në punë, sepse sekretarja tjetër kishte marrë lejen e lindjes. Ajo nuk shpjegon se pse ishte nisur me faks kjo shkresë dhe pse një tjetër ishte nisur me postë, por është fakt se duke parë datat është e qartë se nxitimi bëhej për shkak se vendimi do kalonte së shpejti në qeveri.
Agolli thotë se mban mend që të paktën dhe dy herë të tjera Shkëlzen Berisha ka qenë në zyrën e ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi.
Sipas saj, në Ministrinë e Mbrojtjes i janë përgjigjur në momentin e nisjes së faksit, se nuk njohin asnjë Shkëlzen Berisha që punonte në atë institucion, por ajo u ka thënë që ka marrë urdhër që të nisë këtë faks për atë person dhe kështu ka vepruar. Më poshtë vijon dëshmia e saj e plotë përpara organeve të drejtësisë, dëshmi për të cilën ajo merr përgjegjësi të plota, në rast se provohet e kundërta.
Vetë Aldo Bumçi në disa dalje publike e ka mohuar këtë shkresë dhe shënimin mbi të.
Shkëlzen Berisha kishte “ngritur” zyrë në Ministrinë e Mbrojtjes
12.06.2009
Djali i kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, kishte de facto një zyrë të tijën në Ministri të Mbrojtjes nga marsi i vitit 2007 deri në mars të vitit 2008. Dëshmitë autentike të marra nga sekretaret e ministrit të Mbrojtjes e faktojnë një gjë të tillë.
Ndërkohë, pesë nga shumë biseda që janë bërë mes zotit Shkëlzen Berisha dhe drejtuesve të tjerë të ministrisë, duke përfshirë dhe ministrin e Mbrojtjes, janë të incizuara dhe së shpejti mund të bëhen publike.
Gazeta boton të dhëna nga dy blloqe të përdorura gjatë vitit 2007 dhe 2008 nga sekretaret e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që kanë lidhje me takimet që Shkëlzen Berisha bënte në këtë ministri.
Blloqet janë sekuestruar nga Prokuroria e Përgjithshme menjëherë, për shkak se mund të bëheshin ndryshime në to. Në to janë të dokumentuara të gjitha vizitat që djali i kryeministrit bënte në ministri. Në gazetë po botojmë disa nga shënimet që tregojnë për praninë e djalit të kryeministrit në zyrën e Mediut.
Në bllokun e parë janë të mbajtura shënim takimet që ka bërë në zyrën e Mediut djali i kryeministrit gjatë periudhës janar-mars 2008, pra në periudhën pak para dhe pas tragjedisë së Gërdecit. Në fakt, në janar dhe shkurt Shkëlzeni nuk shfaqet shumë në zyrën e Mediut, por ajo çka bie në sy është që Shkëlzeni shkon në zyrën e Mediut më datë 17 apo 18 mars (kjo nuk është e specifikuar mirë në bllok), vetëm pak ditë pas tragjedisë së rëndë.
Ndërsa në bllokun e dytë janë të shënuara takimet e bëra në zyrën e ministrit të Mbrojtjes gjatë periudhës prill- gusht 2007, kur dhe Fabrika e Vdekjes kishte nisur punën.
Siç mund të shihet nga blloku dhe nga datat e mbajtura shënim, Shkëlzen Berisha ka patur një periudhë intensive takimesh me Mediun gjatë korrikut 2007. Më saktë, ai ka qenë për katër ditë rresht në zyrën e tij, në datat 17, 18, 19, 20 korrik 2007.
Shkak për këto vizita të shpeshta janë bërë disa probleme që po haste punishtja e Gërdecit dhe kompania “AlbaDemil” për t’u furnizuar me municion. Ngarkesat që mbërrinin aty nuk ishin të mëdha dhe firma ankohej për një gjë të tillë. Për këtë arsye, djali i kryeministrit kërkonte nga Mediu që të rritej sasia e ngarkesave për në Gërdec. Mësohet se repartet ushtarake kishin nisur të kundërshtonin një gjë të tillë.
Kunati i Selmanllarit drejtonte grupin ‘hije’ të trafikut në Gërdec
14.06.2009
Rrahman Selmanllari, miku i ngushtë i djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha, është një nga pronarët e Fabrikës së Vdekjes në Gërdec.
Dëshmia e tij në prokurori rrëzohet nga provat e sekuestruara nga organi i akuzës, që faktojnë se pas firmës amerikane, “Southern Ammunition”, qëndronte vetë Rrahman Selmanllari.
“Nuk jam angazhuar në ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec”, - deklaron në dëshminë e tij Selmanllari. Por një autorizim i datës 30 prill 2007, rrëzon të gjithë dëshminë e Selmanllarit që duhet thënë se është e mbushur me gënjeshtra. E vetmja e vërtetë është që ai është mik i ngushtë me djalin e kryeministrit Berisha.
“Unë e njoh shtetasin Shkëlzen Berisha. Kemi lidhje shoqërore për më tepër se dhjetë vjet. Kur është në Shqipëri, takohemi shpesh me njëri-tjetrin”, - deklaron Selmanllari.
Në autorizimin e SAC thuhet se do jetë Selmanllari që në emër të kompanisë amerikane do nënshkruajë marrëveshjet me Ministrinë e Mbrojtjes për ndërtimin e fabrikës së demontimit në Gërdec, Vorë.
Por dëshmia e tij bëhet akoma më e rëndë, kur asaj i shtohet dëshmia e një grupi punonjësish, të njohur si grupi “hije”, që vepronte në turnin e tretë në Gërdec, dhe që merrej me organizimin e municioneve.
Njerëz të afërm të Selmanllarit ishin pjesë e këtij grupi dhe dëshmitë e tyre janë të mbushura me kundërshti dhe gënjeshtra. Por prokuroria nuk ka hetuar më tej për këtë grup, që në fakt përfaqëson krahun e Selmanllarit në pronën e tij.
Bëhet fjalë për shtetasit Seran Maçi, Nazmi Isufaj, Haxhi Mara, Kledian Qefaliaj, Benard Kaçaça, Shpëtim Kaçaça dhe baxhanaku i kryeministrit, Muhamet Hoxha. Të gjithë të afërm, kunetër, krushq e miq të Selmanllarit punonin turni i tretë, nuk përziheshin me punonjësit e “AlbaDemil”, nuk merrnin paga përmes borderove, por bënin pjesën e punës për pasurimin me anë të trafikut në këtë punishte.
“Nuk kam vizituar asnjëherë reparte ushtarake, përfshi këtu Gërdecin”, - thotë Selmanllari në dëshminë e tij.
Por punëtorët thonë të kundërtën.
“Shtetasin Rrahman Selmanllari nuk e njoh fizikisht, por për të kam dëgjuar se ai ishte njëri nga bashkëpronarët e fabrikës në Gërdec. Gjithashtu, krahas tij di që pronar ishte Mihal Delijorgji, Davidi, shtetas amerikan dhe Ylli Pinari si drejtor i MEICO-s.
Dua të sqaroj se unë punoja gjithmonë turni i tretë dhe gjatë kohës së punës nuk e kam parë ndonjëherë shtetasin Rrahman Selmanllari, por gjatë punës kam dëgjuar se ky shtetas kishte ardhur në fabrikë paradite me makinën e tij “Benz ML”, - thotë Kledian Qefaliaj në dëshminë e tij.
Grupi “hije” i Selmanllarit kujdesej gjatë gjithë natës për pjesën e trafikut me këtë pasuri që mbërrinte aty. Ata ishin të pavarur në punën e tyre, madje shpesh mund të kishin dhe përplasje me përfaqësuesit e “AlbaDemil”.
E gjithë ngarkesa e këtyre kamionëve që vinte aty, numërohej nga grupi i Selmanllarit, dhe në rast se do të kishte municione çeliku, ata ktheheshin pas, sepse interesi ishte te tunxhi.
“Di që në dy-tri raste kam kthyer mbrapsht kamionë që kanë ardhur nga Qafë-Molla, me municione me gëzhojë çeliku, d.m.th., që interesi i firmës ishte te gëzhojat e tunxhit”, - thotë Seran Maçi në dëshminë e tij.
Ndërsa Kledian Qefaliaj konfirmon pistën e trafikut duke deklaruar se predhat hynin ashtu dhe dilnin si gëzhoja e barut që ngarkoheshin në makina të Holandës.
“Gjatë kontratës së parë unë kam punuar një muaj paradite dhe më pas deri ditën e ngjarjes kam punuar vetëm natën.
Sa për kontratën e dytë, aty kanë hyrë shtimje, ose predha dhe kanë dalë gëzhoja dhe barut, i cili është marrë nga makina të Holandës”, - deklaron Qefaliaj.
Mediu “tradhton” Berishën: Në zyrë u premton, këtu hesht...
15.06.2009
Kryeministri, Sali Berisha, i ka premtuar kompanisë “Southern Ammunition Company” se do i ndihmojë për të marrë kontratën për demontimin e municioneve.
Ky fakt është tepër i rëndë, për shkak se në dokumentet që gazeta Tema ka botuar, rezulton se përfaqësuesi i SAC është Rrahman Selmanllari, miku i ngushtë i djalit të kryeministrit Berisha.
Lobimin e kryeministrit për këtë kontratë e zbulon vetë ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, gjatë të famshmes mbledhje qeverie, ku do kalohej kontrata për SAC.
Gazeta “TemA” zbardh procesverbalin e mbledhjes së qeverisë, më datë 17 shkurt. Kjo mbledhje është përfolur shumë për debatet mes ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Dhe në fakt ashtu është. Mediu ka synuar që të kalojë përmes qeverisë dhënien e kontratës me prokurim të drejtpërdrejtë për kompaninë SAC, por është kundërshtuar ashpër nga ministri i Financave, Ridvan Bode, që kërkon që një gjë e tillë të bëhet me ankand.
“Për mendimin tim ky problem ka këto elementë: Këtu kemi të bëjmë me një shërbim publik, n’daç shitje, n’daç shërbim, n’daç çfarëdo që të jetë, minimumi bëhet me tender. Këtu vihet me prokurim të drejtpërdrejtë”, - thotë Bode, duke kundërshtuar Mediun që insiston se nuk ka mundësi që kjo të bëhet me ankand, për shkak se nuk ofrohet asnjë kompani tjetër. Por Bode pretendon të kundërtën.
Debati zgjerohet, ndërsa kryeministri e kupton që kundërshtimi i Bodes nuk ka të ndaluar. Duhet theksuar se gjatë gjithë debatit, Berisha shfaqet mjaft i urtë dhe i bindur përkundrejt Fatmir Mediut, çka të lë të kuptosh se ishte i interesuar për kalimin e projektit. Por ministri i Financave kërkon që, në rast se kjo kontratë do jepet me prokurim të drejtpërdrejtë, këtë veprim ta bëjë Ministria e Mbrojtjes, për shkak se Këshillit të Ministrave nuk i lejohet një gjë e tillë me ligj. Këtë fakt e pranon dhe kryeministri, Sali Berisha, sipas të cilit nuk mund të vendosë Këshilli i Ministrave për një kontratë me një emër të specifikuar firme. Berisha dhe Bode thonë se Këshilli i Ministrave mund të vendosë vetëm për procedurat, duke i lënë kështu përgjegjësinë Ministrisë së Mbrojtjes për veprimet.
Këtu Mediu ndjehet pak i tradhtuar dhe deklaron se Berisha po lobon për këto kompani të huaja që vijnë në Shqipëri.
“Dhe unë po e ngre zoti kryeministër, këtu të gjitha kompanive të huaja që vijnë, iu thuhet “Po” nga ana juaj, iu thuhet “Po” me vullnet politik. Nuk ka asnjë implementim për të ecur më tej. Të gjithë janë te dera, vetëm presin dhe ikin”, - deklaron Mediu.
Berisha e mbyll mbledhjen duke thënë se do jetë një grup pune që do shqyrtojë këtë situatë dhe do ri-hartohet projekti. Mediu deklaron se shpreson që edhe kjo firmë të mos ikë si shumë të tjera.