E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Jo ndarjes dhe rinegocimit të statusit të Kosovës

Sipas radios “Evropa e lirë”, edhe Bashkimi Evropian është në pritje të mendimit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dhe pritet që pas shpalljes së këtij vendimi, edhe BE-ja të dalë me një komunikatë se si e sheh procesin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit pas kësaj.

Burime diplomatike në Bashkimin Evropian thonë se ka përpjekje midis shteteve anëtare që të përpilohet një qëndrim i përbashkët, për të bërë ftesë për një dialog mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili do të përqendrohej në zgjidhjen e disa problemeve praktike. Por siç dihet, në Bashkimin Evropian ka edhe shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kështu që ato e shohin si rinegocimin e statusit të Kosovës.

Ndërkohë, shumica e vendeve anëtare të BE-së pohojnë se statusi i Kosovës është i zgjidhur; Kosova ka shpallur pavarësinë, këto shtete e kanë njohur dhe nuk mendojnë që ta ndryshojnë qëndrimin e tyre rreth statusit. Kështu, në BE dominon qëndrimi se në dialogun ardhshëm në mes Kosovës dhe Serbisë, duhet përjashtuar mundësia e ndarjes së Kosovës dhe rinegocimi i statusit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›