E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi takon përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe FMN-së

Zyra për informim e kryeministrit bën të ditur se “në takim është diskutuar për proceset e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për rolin dhe mbështetjen e Bankës Botërore në zhvillimin e kapaciteteve ekonomike, që do të ndikojnë në forcimin e ekonomisë së Kosovës”.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi theksoi hapat që janë ndërmarrë nga qeveria në këtë drejtim, që ndërlidhen me koncesionimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës, ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, hidrocentralit të Zhurit, si dhe projektin e madh të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë.

Kreu i ekzekutivit kosovar vlerësoi lart mbështetjen që Banka Botërore i ka dhënë dhe po i jep Republikës së Kosovës në kuadër të procesit shumë të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik, që është parakusht i domodoshëm për integrimin në institucionet euro atlantike.

Po dje pasdite, sipas kohës amerikane, në selinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar, kryeministri Hashim Thaçi zhvilloi takime me drejtorin e FMN së, Dominik Straus Kahn, si dhe me drejtorin ekzekutiv, Arrigo Sadun. Kurse sot ai do të zhvillojë takime në Departmentin Amerikan të Shtetit, ndërsa në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të mbajë ligjëratën me temën “Ndërtimi i së ardhmes euro atlantike të Kosovës: sfidat dhe mundësitë para nesh”.

Sipas zyrës për informim të kryeministrit të Ksovës, të mërkurën, në Shtëpinë e Bardhë, Thaçi do të pritet nga zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Xho Bajden, ndërsa të enjten do të zhvillojë takime në Kongres.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›