Dobjani rekomandon fëmijët larg mitingjeve
Avokati i Popullit, iu ka rekomanduar krerëve të institucioneve dhe subjekteve politike mbajtjen e personave nën 18 vjeç larg takimeve zgjedhore
Avokati i Popullit, iu kërkon subjekteve politike të mos përdorin fëmijët në fushatën elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo është thirrja që bën Avokati i Popullit për politikanët shqiptarë. Fushatat e mëparshme zgjedhore janë karakterizuar nga një pjesëmarrje e lartë e fëmijëve në fushatë, ndërkohë që sipas Z. Dobjani kjo situatë vazhdon ende. Duke marrë shkas nga kjo situatë, Avokati i Popullit kërkon që fëmijët nën moshën 18 vjeç të shmangen nga takimet politike të çdo lloj forme qofshin. Një fakt i tillë argumentohet se të gjithë personat këtë moshë, nuk kanë zotësi juridike për të vepruar dhe gjithashtu nuk kanë as të drejtë vote. Kjo thirrje iu drejtohet të gjitha forcave politike në vend që fëmijët të mos përdoren si element "zbukurues" apo si një mënyrë për të treguar se ambientet e takimeve elektorale janë plot përkrahës. Sipas shefit të Kabinetit të Avokatit të Popullit, Artur Lazebeu, politika shqiptare duhet t'i respektojë të drejtat e fëmijëve dhe në rastin e fushatave elektorale të mos abuzojë me ta. "Nuk duhet të harrojmë që fëmijët nuk e kanë pjekurinë e duhur intelektuale, fizike apo mendore njësoj si të rriturit. Nisur nga kjo shpesh fëmijët nuk arrijnë të kuptojnë sepse janë organizuar mitingjet apo takimet e tjera elektorale. Prandaj mosha për të zgjedhur dhe për t'u zgjedhur është caktuar 18 vjeç e lart në legjislacionin shqiptar për zgjedhjet",- pohon Lazebeu. Sipas tij Avokati i Popullit pret që politika shqiptare të reflektojë dhe këtë herë të kemi një fushatë elektorale sa më qytetare, por pa pjesëmarrjen e fëmijëve. Avokati i Popullit ka kërkuar vazhdimisht një shmangie të fëmijëve nga takimet elektorale me argumentin se në shumicën e këtyre takimeve ka një gjuhë konfliktuale dhe akuza respektive tepër të rënda midis politikanëve, dhe kjo përcjell tek fëmijët pjesëmarrës ndjenjën e ndarjes dhe të konfliktualitetit. Këtë thirrje që duket se ka marrë trajtën e një rekomandimi, Dobjani nuk ia ka drejtuar vetëm aktorëve politike, por dhe drejtuesve të shkollave dhe drejtorive arsimore në rrethe. Shkollat sipas Avokatit të Popullit duhet të distancohen plotësisht nga fushatat elektorale dhe drejtoritë arsimore nuk duhet të lejojnë që mësuesit të aktivizojnë fëmijët në aktivitetet elektorale. Sipas Lazebeut, Avokati i Popullit, Emir Dobjani ka rekomanduar që ndalimi i fëmijëve në fushata elektorale të sanksionohej edhe në Kodin Zgjedhor. Gjithsesi në Kodin e fundit Zgjedhor nuk është përcaktuar ndalimi i fëmijëve nën 18 vjeç në fushata elektorale.
Përplasje me thika në shkollë për një gol, një i plagosur
Një nxënës i klasës së shtatë të shkollës 9 vjeçar "28 Nëntori", në Laprakë, mbeti i plagosur dje në mesditë, ndërsa shoku i tij e qëlloi për shkak të një grindjeje pas një loje futbolli. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në oborrin e shkollës 9-vjeçare "28 Nëntori", kur një nxënës i klasës së shtatë me iniciale I.C, ka mbetur i plagosur, pasi u godit me thikë nga shoku i tij i klasës, A.K. Burime nga policia thanë se ngjarja ndodhi pas një sherri mes dy të miturve për lojën me futboll. Fëmijët mesditën e djeshme kanë qenë duke luajtur futboll në këndin sportiv në oborrin e shkollës. Një zënkë e nisur gjatë lojës mes nxënësve ka bërë që dy moshatarët A.K, dhe I.C, të shkonin më tej me sherrin e tyre. Ata kanë debatuar në oborrin e shkollës dhe pas fjalëve të ndërsjella njëri prej tyre ka nxjerrë një thikë. Sipas dëshmive që policia ka mbledhur nga nxënësit dëshmitarë ka qenë A.K, i cili ka nxjerrë thikën nga xhepi dhe ka goditur në pjesën e barkut 14-vjeçarin I.C i cili ka rënë në tokë. Menjëherë mësues e nxënës janë mbledhur ndërsa janë përpjekur t'i japin ndihmën e parë të miturit duke e transportuar në spital. "Në pretendimin e tij, autori tha se kishte qëlluar me thikë shokun pas një zënke që nisi gjatë lojës në futboll, ndërsa shtoi se thikën e mbante me vetë në xhep" thanë për "Shekullin" burime nga policia. Të njëjtat burime, thanë se arma e krimit u bllokua në cilësinë e provës materiale. Autori i ngjarjes u la i lirë për shkak të moshës së mitur. Ende nuk dihen masat që do të merren ndaj nxënësit, nga drejtuesit e shkollës.
----------------------------------------------------------------------------
Aksidenti
Vetura merr përpara motoçikletën, një vdes, një plagoset
Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur pasi një motoçikletë me të cilin po udhëtonin është përplasur me një automjet. Aksidenti ndodhi mbrëmë pranë xhamisë në Sauk të Tiranës, kur automjeti tip-Golf që drejtohej nga Gentian Turtulli është përplasur me një motoçikletë. Për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Arben Jata dhe është plagosur rëndë Xhelal Dervishi të moshës 40-vjeç të cilët po udhëtonin me motoçikletën. Në vendin e ngjarjes mbërritën ekspertët e policisë rrugore për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Burime nga policia thanë se u krye këqyrja e vendit të ngjarjes ndërsa u shoqërua drejtuesi i automjetit Gentian Turtulli, i cili është marrë në pyetje për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Sipas policisë, deri në orët e vona të mbrëmjes policia ka zgjatur hetimet për të zbuluar përgjegjësin e aksidentit, ndërsa ende nuk ka marrë një masë ndaj drejtuesit të automjetit. Burime nga policia thanë se automjeti dyshohet se po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara ndërsa edhe motoçikleta po lëvizte me shpejtësi. Ndërkohë që trupi i pa jetë i 40-vjeçarit Jata u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme ndërsa Xhelal Dervishi ndodhet në gjendje të rëndë në spital.