BE: Kriza, zgjidhje brenda 18 marsit
ADI SHKEMBI
Brukseli i bën thirrje partive që të zgjidhin krizën politike brenda 18 marsit. Deklaratën e bëri dje në Tiranë drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Pierre Mirel gjatë takimit të parë të përbashkët BE- Shqipëri të Komitetit të Stabilizim Asociimit. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në përfundim të 7 orë bisedimeve mes dy palëve, Mirel tha se "në nëntor të vitit të shkuar unë isha në Shqipëri dhe thashë që debatet politike duhet të zhvillohen në Parlament dhe jo në rrugë. Ne sot mirëpresim kthimin e anëtarëve të PS-së në Parlament. Ky është një zhvillim politik dhe shpresojmë që diskutimet që po ndodhin në komisionin e çështjeve ligjore të çojnë në zgjidhje të kënaqshme dhe të përhershme. Dhe prandaj kërkesa ime për këtë komision do të ishte që të gjendeshin zgjidhje që do të çojnë në marrëveshje në konsensus, sepse ky është esencial thelbësor që Shqipëria të tregojë se është demokraci e pjekur". Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që palët të kenë gjetur gjuhën e përbashkët përpara se javën e ardhshme të mbërrijë në Tiranë Komisioneri për Zgjerimin, Fule. "Shpresojmë që zgjedhja të gjendet para datës 18 mars, prandaj themi që kjo do të jetë një ditë e rëndësishme. Shpresojmë që kur komisioneri Stefan Fuele, të vijë në Shqipëri më 19 mars të gjejë një situatë të qartë e të vendosur", theksoi më tej Mirel. Njoftimi për shtyp i Ministrisë së Integrimit, në përfundim të takimit bën të ditur se zyrtari i lartë i Brukselit kërkoi që kthimi i opozitës në Kuvend të mos ndërpritet. "Pierre Mirel, drejtori për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e zgjerimit të Komisionit Evropian, tha se Komisioni mirëpriti zhvillimet e fundit në Parlament, por theksoi dhe kërkoi se kthimi i opozitës duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i pandërprerë", thuhet në njoftimin për mediat. Ndërkohë burime nga ky takim bëjnë të ditur se Mirel ka kërkuar që të zbatohen menjëherë rekomandimet e OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore. "Opozita ta bëjë debatin në Parlament dhe jo në rrugë dhe rekomandimet e OSBE duhet të zbatohen menjëherë dhe s'mund të presim 24 muaj për t'u bërë amendamente", mësohet të jetë shprehur Mirel. Në të njëjtën kohë, drejtori për Ballkanin Perëndimor garantoi se heqja e vizave mes Shqipërisë dhe hapësirës Schengen do të bëhet brenda verës së këtij viti. "Vlerësimin që do të bëjmë në do ta ndajmë dhe me shtete anëtarë në Bruksel dhe pastaj KE do të dërgojë në Këshill propozimin e vet dhe pastaj do të mbetet në dorën e Këshillit dhe shteteve anëtare për të vendosur. Edhe dy komente të tjera: kjo qasje dhe metodologji që po përdoret për Shqipërinë është përdorur edhe në shtetet e tjera. Së dyti do të thosha që ne jemi angazhuar dhe do ta japim propozimin tonë deri në mesin e vitit 2010 e do t'i përmbahemi kësaj fjale", theksoi më tej Mirel. Takimi i parë mes palës komunitare dhe Shqipërisë bëhet pasi ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit për të cilën zyrtari nga Brukseli tha se është implementuar pa probleme. Në njoftimin për mediat thuhet se lidhur me kriterin politik pala komunitare theksoi se ka një kuadër të plotë ligjor dhe institucional për luftën kundër korrupsionit. "U vlerësua gjithashtu reforma në kuadrin ligjor të sistemit gjyqësor, por njëkohësisht u nënvizua rëndësia e miratimit të Ligjit të Gjykatës Administrative. Komisioni vlerësoi miratimin e Ligjit të Anti-Diskriminimit jo vetëm si një plotësim detyrimi në kuadër të procesit të integrimit dhe liberalizimit të vizave, por edhe si një ligj i cili vendos qytetarët shqiptarë në të njëjtin standard me ata evropianë", bëhet e ditur në komunikatën për mediat.