Greqia: Mbështesim heqjen e vizave mes Shqipërisë e BE-së
Greqia mbështet heqjen e regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Deklaratën e bëri dje Ministri i Mbrojtjes së Qytetarit të Greqisë, Mihalis Krisohoidhis, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha. "Ne mbështesim kërkesën e Shqipërisë për heqjen e regjimit të vizave, duke respektuar kushtet ligjore të BE përmes kontrolleve të rrepta në mënyrë që duke hapur kufijtë të kufizojmë të gjitha rrjetet kriminale që përdorin këto pengesa për të shfrytëzuar njerëzit fatkeq", tha zyrtari i lartë grek. I pyetur nëse Tirana zyrtare i ka përmbushur të gjitha kriteret për heqjen e vizave, ai tha se "siç e dini për heqjen e regjimit të vizave, ka një procedurë të parashikuar me stade konkrete dhe me masa konkret që duhet të ndërmarrë vendi kandidat që kërkon heqjen e regjimit të vizave në mënyrë që autoritetet evropiane të marrin vendimin përkatës. Nga sa më informoi më parë z. Basha, Shqipëria ka bërë hapa vendimtarë në procesin e plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave dhe shpresoj që shumë shpejt Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve evropiane të marrë një vendim pozitiv". Nga ana e tij, ministri Basha vlerësoi mbështetjen e Athinës për heqjen e vizave, teksa e njohu ministrin grek me hapat e ndërmarra për plotësimin e kritereve të Udhërrëfyesit. Në të njëjtën kohë ministri i Brendshëm vlerësoi vendimin e Greqisë për ligjin e ri mbi të drejtat e emigrantëve. "E falënderova ministrin për angazhimin e tij personal, por edhe të Qeverisë së Kryeministrit Papandreu në miratimin e ligjit të ri i cili garanton të drejta të gjera për emigrantët në Greqi duke pasur parasysh komunitetin e madh të shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Greqi dhe lehtësirat që ky ligj jep për të, por edhe për aktet e tjera që i ka firmosur në zyrë që në ditët e para, siç është lehtësimi i lëvizjes së lirë të emigrantëve për në vendet e tyre, në këtë rast për në Shqipëri", tha Basha. Ndërsa ministri Krisohoidhis, lidhur me këtë çështje thekoi se "gjithashtu Qeveria jonë që nga momenti që erdhi në fuqi u dha një sërë mundësish dhe shansesh këtyre emigrantëve siç theksoi edhe homologu im Basha më parë, u dha mundësinë emigrantëve të udhëtojnë në çdo moment në vendin e tyre. Dëshiroj të shpreh gëzimin tim të madh që takohem sot për herë të parë me kolegun tim z. Basha, një politikan të ri dhe të rëndësishëm, me rol të rëndësishëm në zhvillimet e vendit të tij, që bën sot një përpjekje të madhe për sigurinë e qytetarëve dhe vendit të tij, Shqipërisë". Ministri grek pati dje gjithashtu një takim edhe me Kryeministrin Berisha.