Uidhers: Ligji i SHISH, i papranueshëm
BLEDAR HOTI
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehen të shqetësuara mbi draftin e ri të SHISH, të miratuar në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers doli dje posaçërisht për të shprehur shqetësimin për përmbajtjen e draftit të ri. "Dëshiroj të ndaj me ju këtë pasdite pikëpamjet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara lidhur me projektligjin e ri, mbi Shërbimin Informativ, që është tani në Parlament. është me rëndësi jetike që Shërbimi Informativ i Shqipërisë të mbetet profesional, i pavarur dhe i lirë nga të gjitha ndërhyrjet politike. Jemi të shqetësuar që projektligji i minon këto parime. Si rrjedhojë, ky projektligj i ngarkon përgjegjësi të reja brenda vendit, Shërbimit Informativ të vendit, të cilat janë shqetësuese. Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj ndërkombëtar. Ne druhemi se ky projektligj, në formën e tij aktuale, po e dëmton këtë imazh", deklaroi Uidhers. Diplomati amerikan theksoi që "nxisim me forcë që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit, përpara se Parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. është e domosdoshme që çfarëdo projektligji i tillë të përmbushë standardet ndërkombëtare, në përputhje me detyrimet euro-atlantike të Shqipërisë". Uidhers nuk ka dhënë kontestime konkrete dje por, sipas tij SHBA e ka treguar se ku qëndrojnë shqetësimet kryesore. "çfarëdo Shërbimi Informativ, duhet të mbetet profesional. Nuk duhet të politizohet. Duhet të ruajë pavarësinë si institucion. E kemi parë projektligjin, projektligjin e rishikuar. Vazhdojmë ta quajmë të papranueshëm në pikëpamjet që sapo përmenda. Nuk dua të hyj në shumë hollësi specifike këtu. Mendoj se e kemi bërë të qartë pozicionin tonë dhe mendoj se ju e kuptoni se cili është ky pozicion", tha zyrtari amerikan. Uidhers në konferencën e djeshme është fokusuar vetëm te projektligji i SHISH, duke preferuar të mos japë qëndrime të tjera në lidhje me raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. "Mendoj se ajo që duam të nënvizojmë është se sa seriozisht e marrim çështjen e këtij projektligji të posaçëm. E marrim vërtet shumë seriozisht sepse Shqipëria është një anëtare e re e NATO-s dhe ka aspirata për integrim të plotë euro-atlantik. Ndjejmë se ky projektligj e çon Shqipërinë në drejtimin e gabuar. Si miq, si miq të ngushtë të Shqipërisë, ne duam të ofrojmë këshillat tona për t'u siguruar që mikja jonë Shqipëria nuk do të vazhdojë në atë drejtim të gabuar", theksoi ambasadori. Uidhers theksoi se çështja që duhet mbajtur parasysh është që ky nuk është thjesht një debat i brendshëm politik, pasi në kuadrin e NATO-s dhe sipas marrëveshjeve dypalëshe, kjo është një çështje me implikime ndërkombëtare. "Dhe, për pasojë, cilido qoftë diskutimi i brendshëm, është shumë, shumë e rëndësishme që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të mund ta rishohin këtë projektligj gjerë e gjatë dhe me hollësi për t'u siguruar që ai përmbush komponentin ndërkombëtar të detyrimeve të tij. Vërtet që po e ndjekim nga afër diskutimin e brendshëm mbi këtë ligj dhe të gjithë deputetëve të të gjithë spektrit politik u kërkojmë të vlerësojnë pasojat e këtij ligji, për interesat afatgjata kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë. Më lejoni të shtoj vetëm që kjo është një kohë kur stabiliteti në Shërbimin Informativ shqiptar është posaçërisht i rëndësishëm. Ky projektligj ngre pikëpyetje pikërisht në atë fushë", deklaroi ambasadori i SHBA-së. Tre ditë më parë, Komisioni i Ligjeve pas seancës me kreun e SHISH, Bahri Shaqiri, miratoi me ndryshime jo esenciale draftin e Qeverisë, duke përcaktuar qartë ndikimin e Qeverisë nëpërmjet raportimit në çdo kohë të këtij institucioni. Ndërsa Komisioni i Ligjeve ka miratuar një dispozitë tranzitore, ku 60 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nisin procedurat për zgjedhjen e kreut të ri të SHISH dhe të zëvendësit të tij. Të hënën pritet që Komisioni Parlamentar i Sigurisë të shqyrtojë nismën e Qeverisë për Shërbimin Informativ, duke pasur përpara dhe draftin e miratuar nga ana e Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Ndërsa më datën 18 mars pritet që ky draft të votohet në seancë parlamentare.
Disa nga nenet e miratuara
Neni 2
Neni 3 ndryshohet si vijon:
SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacione rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për realizimin e funksioneve të mësipërme, Shërbimi Informativ i Shtetit ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Ligjshmëria dhe objektiviteti janë parimet bazë të punës së Shërbimit Informativ të Shtetit.
Shërbimi Informativ i Shtetit ruan sekretin, lidhur me burimet, identitetin e bashkëpunëtorëve, metodat e punës si dhe informacionin e klasifikuar sekret shtetëror, në përputhje me legjislacionin në fuqi".
Neni 3
Neni 5 ndryshohet si vijon:
"Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH. Me kërkesë të Kryeministrit, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, raporton edhe në Këshillin e Ministrave."