E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Liberalizimi i vizave për Ballkanin nis në qershor

 

BLEDAR HOTI

Liberalizimi i vizave me vendet e Ballkanit mund të nisë brenda gjashtë mujorit të parë të vitit 2009.Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oli Rehn gjatë një deklarate të bërë në komisionet e Parlamentin Evropian, në një konferencë të organizuar në Bruksel nga "European Policy Centre" (EPC), ka dhënë afat qershorin e këtij viti, me kushtin e plotësimit të reformave të vendosura nga BE-ja. "Liberalizimi i vizave është padyshim prioriteti ynë këtë vit", theksoi Rehn në konferencën e mbajtur në ambientet e komisionit të jashtëm të Parlamentit Evropian. "Pavarësisht tendosjes në zgjerimin e bllokut 27-anëtarësh, Komisioni Evropian mund të rekomandojë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti heqjen e vizave për disa vende të Ballkanit, nëse ato arrijnë progres në kryerjen e reformave të ndërmarra", tha Rehn. Pas kësaj, "ministrat e Brendshëm të BE-së mund të marrin një vendim përfundimtar deri në fund të vitit 2009, duke marrë parasysh progresin e vendeve ballkanike në luftën kundër krimit të organizuar, pajisjen e shtetasve me pasaporta biometrike dhe efikasitetin në kontrollin e kufijve". Sipas agjencisë euobser.com, zyrtari i lartë i Bashkimit Evropian shprehet se "Shqipëria gjendet e fundit në listën e vendeve përfituese bashkë me Bosnjë-Hercegovinën". Mali i Zi dhe Maqedonia janë më të avancuara në këtë drejtim, sipas raporteve të progresit të publikuar në nëntorin e vitit të shkuar. Politika e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor u shtrënguan pas shpërthimit të luftërave në ish-Jugosllavi dhe në 2003-shin nisën bisedimet për lehtësimin e regjimit. Nëse Komisioni do të rekomandojë rënien e barrierave të rënda për regjimin e vizave, vendet anëtare të BE-së janë të detyruara të zbatojnë këtë vendim. Në takimin e zhvilluar disa ditë më parë në Çeki mes ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së, është vënë theksi se vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë dyer e hapura për anëtarësimin në BE. Komisioneri Rehn, bëri thirrje gjithashtu që BE nuk duhet të përdorë krizën globale financiare, si një shkak për të ndalur procesin e zgjerimit të BE. "Nuk duhet ta bëjmë zgjerimin një kurban të recensionit ekonomik, meqë kjo krizë mund të ketë përhapur pakënaqësi brenda BE-së", deklaroi Rehn.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›