Meta, 800 metra nën tokë: Pas 28 qershorit “Statusi i minatorit”
LSI pas 28 qershorit do të diskutojë bashkë me minatorët për “Statusin e minatorit”. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi dje një takim me minatorët e Bulqizës. Së bashku me drejtues të tjerë të LSI, Meta ishte brenda në galeritë e minierës së Bulqizës, rreth 800 metra nën tokë dhe bisedoi me minatorët lidhur me problemet me të cilat përballen ata dhe kryesisht për kushtet e punës. Në fjalën e tij, gjatë takimit me minatorët, kreu i LSI tha se kriza ekonomike ka trokitur tashmë në Shqipëri dhe të parët, që po e ndiejnë atë janë minatorët, të cilët punojnë për të siguruar bukën e gojës për vete dhe familjet e tyre, në kushte tepër të vështira. Meta shprehu keqardhjen që shumë minatorë, kolegë të tyre kanë humbur edhe jetën për të ushqyer fëmijët. Ndërkohë, kreu i LSI-së akuzoi Qeverinë se nuk ka bërë asgjë për “Statusin e Minatorit” dhe ka lënë minatorët të punojnë në kushte tepër të rënda pune. Meta kritikoi faktin se Qeveria ngulmon të thotë se nuk ka krizë ekonomike, kur e di shumë mirë që industria e mineraleve është në kolaps dhe vendet e punës çdo ditë po mbyllen nëpër miniera. LSI angazhohet që së bashku me ju të diskutojë “Statusin e Minatorit” dhe mbasi të kemi rënë dakord, ta votojmë në Parlament”, u shpreh kreu i LSI gjatë takimit me minatorët në minierën e Bulqizës. Meta gjithashtu garantoi minatorët, se në qeverisjen e LSI-së pas fitores në 28 Qershor, mosha e pensionit për minatorët do të ulet. Kreu i LSI-së theksoi me forcë se tani është “Koha për Veprim”, sepse deri më sot shqiptarët janë ngopur me fjalë të bukura, me premtime e gënjeshtra elektorale.