E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmuesi nxjerr blof Per Kroldrupin

 

Per Kroldrup, qendërmbrojtësi danez i Fiorentinës, është bërë shënjestra e kritikave dhe e ironive në shtypin danez për shkak se ka rezultuar të mos ketë fare njohuri për atë që ndodh në ligën elitare daneze. I pyetur nga revista sportive "Onside", nëse njihte ndonjë nga lojtarët shqiptarë, ai është përgjigjur në mënyrë të menjëhershme se njihte mjaft mirë sulmuesin e Shqipërisë, që luan në kampionatin danez (Besart Berishën) dhe se e vlerësonte shumë atë. "Po, ata kanë lojtarë shumë të mirë dhe ne e njohim mjaftueshëm ekipin e tyre. Madje kanë një sulmues që luan te Nordsjaelland dhe ka shënuar tetë gola deri tani. Ai është shumë i fuqishëm në luftën në ajër", ka thënë Kroldrup. Në fakt, Berisha luan te AC Horsens, ka shënuar vetëm tre gola dhe shquhet për teknikë, më shumë se sa për luftën në ajër. Kaq ka mjaftuar që në faqen e parë të revistës daneze të shkruhej: Kroldrup dhe shokët e tij nuk e njohin fare Shqipërinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›