Lorik Cana voton gjermanin Brigel si trajnerin më të mirë
Lorik Cana, një ndër shtyllat e mbrojtjes kuqezi në ndeshjen ndaj Hungarisë, mundohet të jetë realist për forcat e skuadrës sonë, që, ashtu si thotë vetë kapiteni i Marsejës, është një përfaqësuese, nga e cila nuk mund të presim mrekulli, por thjesht të japë maksimumin. Për shterpësinë e sulmit, Cana mendon se Kombëtares i mungojnë lojtarë finalizues si Altin Rraklli apo të forte si Igli Tare. "Berisha është ndryshe nga Salihi apo Bogdani sepse luan edhe në krah. Për mua Berisha bën një lloj diference, sepse mban topin dhe shpërthen. Na mungon një lojtar i tipit Altin Rraklli, sepse ai ka qenë shumë i veçantë. Lojtare si Igli Tare na mungojnë, sepse janë të fuqishëm. Edhe lojtarë si Salihi janë të rëndësishëm, por në zonë. Lojtarë si ai, nëse nuk furnizohet me topa, e kane të vështirë sepse nuk janë lojtarë që driblojnë, por është i saktë në finalizim", ka vijuar Cana. Ari Han është trajneri i tretë pas Brigelit dhe Bariç me të cilin punon Loriku. "Kam punuar më shumë me Brigelin, ku arritëm një kombinim perfekt dhe arritëm disa rezultate historike si ai me Greqinë. Kemi punuar shumë mirë jo vetëm në aspektin e futbollit, por ai u përshtat shumë me mentalitetin shqiptar dhe shkonte shumë mirë me të gjithë lojtarët. Bariç e kishte më të qartë se çfarë donte nga secili lojtar dhe nga ekipi. Ai mundohej të krijonte një skuadër me formacion bazë me disa lojtarë. Ari Han ka arritur rezultate pozitive në fillim, por tani jemi në vështirësi", u shpreh kapiteni i Marsejës.