BE: Ligji i dosjeve nuk cenon integrimin e Shqipërisë
Në kulmin e debatit për ligjin e dosjeve në Shqipëri, zyra e kryekomisionerit evropian në Bruksel, Oli Rehn, dha dje një sinjal pozitiv për integrimin e Shqipërinë në BE. Në një prononcim për “Dojçe Velen”, Kristina Nagy, zëdhënëse e komisionerit për zgjerimin e BE-së, Olli Rehn, bëri të ditur se BE pret rezultatin e bisedimeve që do të zhvillojë me qeverinë e Tiranës. Ajo deklaroi se Shqipëria nuk mund të ketë pengesa për integrimin për shkakun e këtij ligji, përderisa BE ende nuk është takuar me qeverinë për këtë çështje. “Para rezultatit të këtyre bisedimeve, nuk mund të flitet për ndikim të shqetësimeve të BE-së mbi ligjin e lustrimit, në ritmet e afrimit të Shqipërisë me BE-në”, - deklaroi ajo. Reagimi i zëdhënëses së Olli Rehn erdhi pas një deklarate të bërë nga presidenca çeke e BE-së për ligjin e dosjeve në Shqipëri, e cila shkruante se do të mbajë një qëndrim, pasi të ulet në bisedime me qeverinë shqiptare. Debati në Shqipëri për ligjin e dosjeve ka kaluar edhe në fazë institucionale. Opozita dërgoi në Kushtetuese ligjin e dosjeve, të hyrë në fuqi tashmë dhe kërkon anulimin e tij. Ligji cilësohet nga opozita si antikushtetues.