E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazsjellësi Trans-Adriatik, rrugë në Shqipëri



Azerbajxhani është plotësisht i gatshëm të furnizojë gazsjellësin Trans-Adriatik që kalon nëpër Shqipëri. Në ditën e tretë të pjesëmarrjes së tij në forumin ekonomik të Davosit, Kryeministri Sali Berisha zhvilloi takime të rëndësishme në kuadër të projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik si me Presidentin e Azerbajxhanit, vendi i të cilit është edhe burimi nga ku do të furnizohet gazsjellësi, i cili do të jetë burimi i dytë alternativ për Evropën, pas Rusisë. Berisha zhvilloi në Davos një takim edhe me përfaqësuesin e konsorciumit EGL, Hans Shulc, drejtor ekzekutiv i kompanisë dhe Markus Brokhof, president i Divizionit të Gazit. Në takim ishte i pranishëm edhe Valter Shtajnman, drejtor i përgjithshëm i Zyrës Federale Zvicerane për Energjinë. Gjatë takimit, u diskutua gjerësisht për projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), projekt që përfshin në rrugën e tij edhe Shqipërinë. Përfaqësuesit e konsorciumit e njohën Kryeministrin me ecurinë e këtij projekti dhe vendimin për të krijuar sipërmarrjen TAP Albania, (TransAdriatik Pipeline Albania). Drejtori i përgjithshëm i Zyrës Federale për Energjinë, zoti Shtajnman, u shpreh se qeveria zvicerane është shumë e interesuar për këtë projekt. Ai theksoi se duhet të punohet bashkërisht për zhvillimin e sektorit të gazit natyror, në fushën e energjisë së rinovueshme dhe në diversifikimin e burimeve të energjisë. Kryeministri Berisha tha se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap dhe nismë që zhvillon sektorin energjetik në vend. Kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit e EGL-së shprehën të njëjtin qëndrim se duhet një bashkëpunim mes aktorëve të këtij projekti për një zgjidhje të shpejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›