E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Në maj, KE-ja vendos për liberalizimin e vizave



Në muajin maj, Shqipëria merr një përgjigje konkrete për çështjen e liberalizimit të vizave, pasi Komisioni Evropian merr në shqyrtim dosjen e Shqipërisë për kriteret e vendosura. Këtij momenti do t’i paraprijë ardhja në Shqipëri e një grupi ekspertësh për të parë nga afër të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga BE-ja për lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe nga muaji maj, Komisioni Evropian do të shqyrtojë dosjen e secilit vend për kriteret e vendosura. Këtë fakt e pohoi dje në Davos të Zvicrës, Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ku zhvilloi një takim me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Zhak Barro. Liberalizimi i vizave dhe statusi i vendit kandidat për vendin tonë, ishin dy nga temat kryesore që z. Berisha zhvilloi me numrin dy të Komisionit Evropian. “Në muajin mars, një grup ekspertësh do të vijnë në Shqipëri për të parë të gjitha përpjekjet tona dhe nga muaji maj, Komisioni Evropian do të shqyrtojë dosjen e secilit vend për kriteret e vendosura. Jam i bindur se po ecet në rrugë të mbarë dhe zv.presidenti më siguroi për mbështetjen e tij të plotë në këtë proces”, - konfirmoi z. Berisha. Kryeministri Sali Berisha e informoi KE-në për përpjekjet që qeveria po bën në arritjen e kritereve dhe standardeve për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. Z. Berisha i bëri të ditur dje në Davor të Zvicrës zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe komisioner për Lirinë, Drejtësinë dhe Sigurinë, z. Zhak Barro, se qeveria po punon për reformat integruese. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha e njohu z. Barro veçanërisht me mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftim dhe pasaporta biometrike të standardeve më të mira, dixhitalizimin e regjistrave të gjendjes civile, përpjekjet për një kontroll rigoroz të kufijve, luftën dhe arritjet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Pikërisht çështje e diskutuar mes tyre ishte dhe aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Berisha vuri në dukje se Shqipëria, pasi ka realizuar ratifikimin e MSA-së nga 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe me suksese të qarta në reformat të njohura edhe raporti i KE-së, do të aplikojë gjatë Presidencës çeke për statusin e kandidatit. Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i KE-së, Barro, vuri në dukje se Komisioni e mirëpret progresin e Shqipërisë dhe siguroi për mbështetjen e Komisionit Evropian në përpjekjet e qeverisë shqiptare për konsolidimin e këtyre reformave. Kurse Kryeministri Berisha konfirmoi pas takimit se ka marrë një vlerësim qartësisht pozitiv dhe mbështetës nga zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Barro, për suksesin e reformave në Shqipëri, për përpjekjet e qeverisë për reforma, sikundër e ka siguruar për mbështetjen e tij të plotë në konsolidimin e suksesit të reformave. “Unë nuk pata kundërshtimin e tij. Komisioni ka mbajtur një qëndrim të favorshëm ndaj zgjerimit. Natyrisht, ky është një proces që merr kohën e duhur”, - deklaroi z. Berisha. Z. Barro iu përgjigj me kënaqësi ftesës së Kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë. Kryeministri Sali Berisha ndodhet në Davos të Zvicrës, ku po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Botëror.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›