E Diel, 1 Nëntor 2026

Belgjika ratifikon Shqipërinë në NATO



Belgjika ratifikoi dje Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Belgjikës, e cila pas Senatit belg, ka ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Belgjika është vendi i 19-të anëtar që ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Sipas Ministrisë së Jashtme, ky vendim është shprehje e mbështetjes të vazhdueshme të Belgjikës për procesin e integrimit euroatlantik të Shqipërisë dhe i shërben konsolidimit të mëtejshëm të sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë, duke falënderuar vendet anëtare të NATO-s që kanë ratifikuar protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë, përfiton nga rasti t’i sigurojë ato se Shqipëria do të vazhdojë e vendosur në rrugën e pakthyeshme të reformave për të përmbushur me sukses angazhimet e saj dhe për të rritur më tej kontributin e saj në Aleancë në mbështetje të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se proceset e ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë do të përfundojnë përpara samitit të Strasburg – Kehlit, në mënyrë që të dy vendet të bëhen anëtare me të drejta të plota të NATO-s në këtë samit. Në këtë kuadër, Ministria e Punëve të Jashtme përshëndet ratifikimin në seancë plenare, në unanimitet, nga Asambleja Kombëtare e Republikës së Francës të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, më 29 janar, duke i hapur rrugën ratifikimit nga ana e Senatit francez në datën 4 shkurt, si dhe nisjen e procedurave të ratifikimit të këtij protokolli, po më datë 29 janar, nga ana e Parlamentit të Republikës së Sllovenisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›