E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, Ministri Basha siguron mbështetjen e Suedisë

Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt tha se Suedia mbështet edhe përmbylljen pa vonesë të procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptar. Gjatë këtij takimi, Basha informoi homologun e tij edhe për procesin zgjedhor 

TIRANE-Suedia, vendi që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, mbështet përmbylljen sa më të shpejtë të shqyrtimit të aplikimit të Shqipërisë për statusin kandidat për në BE. Ky qëndrim iu bë i ditur ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha gjatë samitit të Kroacisë nga homologu i tij suedez, Karl Bildt. Ministri i Jashtëm suedez tha se Suedia mbështet edhe përmbylljen pa vonesë të procesit të liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptar. Gjatë këtij takimi, Basha informoi homologun e tij edhe për procesin zgjedhor, i cili u quajt si një test i maturisë së klasës politike shqiptare. Basha mori pjesë në samitin e Kroacisë, temë e të cilit ishte perspektiva euroatlantike e Ballkanit Perëndimor, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit rajonal dhe i bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjisë, ambientit, etj. Pjesëmarrësit vlerësuan anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, si një shembull i qartë se reformat dhe vullneti politik për t’i realizuar ato janë vendimtare në arritjen e objektivave të integrimit euroatlantik të rajonit. Gjatë samitit u theksua se perspektiva e qartë europiane e rajonit është domosdoshmëri dhe motiv për të thelluar reformat në këto vende. Liberalizimi i vizave brenda vitit 2010 për vendet e Ballkanit Perëndimor u vlerësua si një objektiv i rëndësishëm në rrugën e integrimit europian të këtyre vendeve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›