E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Nuk ka viza. Kujdes me zgjedhjet

Dy ministra të vendeve të Bashkimit Europian konfirmojnë zyrtarisht se Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi pritet të përfitojnë deri në vitin 2010 heqjen e regjimit të vizave. "Vendet e para që do të merren në konsideratë janë Serbia, Maqedonia dhe sigurisht Mali i Zi. Më pas do të vijnë gjithë të tjerët. Unë besoj se brenda fundit të vitit mund të bëjmë hapa të vërtetë para, në kuptimin e hapjes së regjimit pa viza", deklaroi ministri i Jashtëm i Italisë, Franko Fratini. Deri tani vlerësimet vinin nga raportet konfidenciale të Bashkimit Europian, rekomandimi i të cilit do të publikohet nga fundi i muajit korrik. "Maqedonia do të ndiqet nga dy vendet që ndodhen më pranë procesit, nga Serbia dhe Mali i Zi. Ndërsa Bosnja dhe Shqipëria duhet të rrisin përpjekjet e tyre. Kjo është mënyra se si është vlerësuar progresi nga Bashkimi Europian", deklaroi ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak. Kryediplomatët italianë dhe sllovakë nuk japim asnjë datë të qartë për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. "Kjo do të varet nga vetë ata, nga meritat e tyre dhe nga arritjet e objektivave", tha ministri italian, Fratini. Unë nuk dua të spekuloj për afate kohore, theksoi diplomati sllovak. Kushtet janë të përcaktuara dhe u takon këtyre dy vendeve që të na sigurojnë se ata mund të japin rezultate për të plotësuar kushtet. "Se sa të afta janë ta bëjnë këtë, kjo është tërësisht në dorën e tyre", nënvizoi kryediplomati sllovak. Propozimi zyrtar i komisionit për çështjen e vizave do të shqyrtohet fillimisht nga Parlamenti Europian dhe më pas nga ministrat e Brendshëm të Bashkimit Europian. Ministri i jashtëm Sllovak komentoi edhe rëndësinë e procesit zgjedhor në Shqipëri. "Ajo që nevojitet të bëhet është zhvillimi i një procesi zgjedhor krejtësisht dhe qartësisht në përputhje me standardet europiane. Pra, zgjedhjet të jenë të lira, të ndershme dhe transparente, pasi ky është mesazhi që politikanët dhe qytetarët shqiptarë do t‘i dërgojnë Europës. Mënyra se si do bëhen zgjedhjet do të ketë një impakt serioz për mënyrën se si do të shqyrtohet kandidatura e Shqipërisë për në Bashkimin Europian. Dy ministrat europianë i dhanë komentet në përfundim të samitit të krerëve të vendeve dhe qeverive të Bashkimit Europian. Takim që i dha fundin zyrtar presidencës çeke, për të filluar tanimë ajo suedeze. Do t‘i takojë kësaj presidence që të shqyrtojë aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ecuria e dialogut për vizat do të jetë një tjetër çështje e rëndësishme në axhendën e presidencës suedeze. Çështja e liberalizimit të vizave është një temë mjaft e prekshme për qytetarët shqiptarë. Dy partitë kryesore të politikës janë angazhuar në fushatën elektorale se do të heqin vizat me Bashkimin Europian brenda vitit të parë të mandatit të ardhshëm qeverisës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›