Të hënën, lista e personave pa pasaportë
Ministria e Brendshme do të informojë gjashtë ditë përpara votimeve Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe partitë politike për listën e personave pa pasaportë dhe pa kartë identiteti, të cilët nuk mund të votojnë dot më 28 qershor. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, bëri me dije se ditën e hënë, Ministria e Brendshme do të dorëzojë në KQZ të gjitha të dhënat sesa persona kanë marrë kartat e identitetit dhe sa është numri i atyre që nuk kanë aplikuar dot, pavarësisht lehtësirave të bëra nga qeveria, duke reduktuar çmimin e letërnjoftimeve në 200 lekë. Ministria e Brendshme nuk ka qenë dje në gjendje të japë një shifër të saktë se sa është numri i personave pa pasaportë që kanë aplikuar për kartë identiteti dhe sa është numri i atyre që nuk kanë as pasaportë dhe as kanë bërë aplikimin për letërnjoftimin elektronik. Ministri i Brendshëm, Nishani, në konferencën për shtyp ka dhënë vetëm detajet sesa persona janë paraqitur për të kryer aplikimin dhe sa prej tyre kanë tërhequr kartën e identitetit. "Që nga mesi i muajit janar, kur nisi ky proces, dhe deri dje, u paraqitën dhe aplikuan për letërnjoftimet elektronike 1402000 shtetas shqiptarë", tha Nishani. Sipas ministrit, kapacitetet për aplikimin e qytetarëve kanë qenë për 2.5 milionë shqiptarë, por deri të enjten në mbrëmje kanë aplikuar vetëm 1.4 milionë prej tyre. Procesi për aplikimin dhe tërheqjen e letërnjoftimeve elektronike ka filluar që prej muajit janar dhe të enjten në mbrëmje, në orën 22:00, ka përfunduar aplikimi për letërnjoftimin elektronik për ata shtetas që nuk disponojnë një pasaportë. Aplikimi për kartën e identitetit do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, kundrejt vlerës 1200 lekë, pasi ky dokument nuk do të përdoret vetëm për të votuar, por edhe për shërbime të tjera, si tërheqjen e pagave dhe pensioneve, apo edhe gradualisht për të zëvendësuar certifikatat. Deri tani, sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, janë 1 milionë e 50 mijë shqiptarë që kanë në dorë kartën e identitetit.