E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE-OSBE: Tregoni maturi! Po presim arsyetimin e Kolegjit

Zëdhënësja e komisioneres për politikën e jashtme në BE dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë komentuan vendimmarrjen e Gjykatës për Tiranën

Komuniteti ndërkombëtar ka qenë i përmbajtur në reagimin e djeshëm pas vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor për ankimimin e socialistëve. Komisioni Europian dhe OSBE-ja kanë deklaruar se kërkojnë kohë në dispozicion për t’u njohur me arsyetimin e vendimmarrjes që çoi në rrëzimin e kërkesë-padisë së PS për Bashkinë e Tiranës. “Ne kemi ndjekur zhvillimet në Shqipëri, që prej zgjedhjeve lokale të 8 majit, me shqetësim të madh, dhe vëmendje. Ne mbajtëm shënim vendimin e Kolegjit Zgjedhor në Shqipëri dhe ne po presim të shohim një arsyetim dhe justifikim më të thellë, pasi për momentin kemi parë vetëm vendimin. Vetëm atëherë do të bëjmë të qartë pikëpamjen tonë. Ju e dini shumë mirë se çfarë pritet nga Shqipëria. Ne duam të shohim një dialog të pjekur politik, ne duam të shohim përparime në reforma, por për këtë rast të veçantë, përpara se ne të bëjmë të qartë qëndrimin tonë, na duhet të shohim të gjitha detajet”, tha zëdhënësja e komisioneres së lartë për politikën e jashtme në BE, Catherine Ashton, Maja Koçijançiç. Në vlerësimin e saj, përmbushja e standardeve në këto zgjedhje përbën një nga 12 kriteret e vendosura nga Komisioni Europian për Shqipërinë, niveli i plotësimit të të cilave do të vlerësohet në raport-progresin e tetorit. Në një prononcim për median, ambasadori i KE-së në Tiranë, Ettore Sequi, tha dje se “është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të vendosin interesin e vendit mbi interesin e ngushtë partiak, dhe do doja të theksoja atë që kam bërë gjatë javëve të fundit. Është shumë e rëndësishme që të konsiderohet si një synim kombëtar procesi i integrimit të vendit në Evropë”. Nuk e kam lexuar argumentimi ligjor të Kolegjit Zgjedhor, vijoi ai, dhe nuk jam në gjendje të bëj komente të mëtejshme. “Unë jam shumë i fokusuar për proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve”, tha Sequi. Sakaq, ambasadori i OSBE në vendin tonë Eugen Wollfarth e ka konsideruar si një hap mjaft të rëndësishëm vendimin e Kolegjit Zgjedhor. “Për sa i përket vendimit që është marrë sot në Tiranë, duhet ta shoh mirë vendimin por mendoj është i rëndësishëm për vendosjen e një hapi tjetër qartësie në administrimin zgjedhor dhe për të ardhmen e Tiranës”, u shpreh diplomati gjerman. Në këndvështrimin e tij, shteti i së drejtës, respektimi i ligjit është shumë i rëndësishëm. “Nuk kam koment për vendimin e Kolegjit. Pres zhvillime paqësore në Tiranë. Shpresa ime të ketë një administrim sa më të mirë të vendit. I gjithë vendi duke filluar që nga komunat e bashkitë ka nevojë për një administrim sa më të mirë dhe një vendimmarrje sa më të mirë kur vjen puna për procesin e integrimin në BE”, nënvizoi ambasadori Wollfarth. Gjatë vizitës në Elbasan, ambasadori Wollfarth ishte në një takim me kryetarin e Bashkisë Qazim Sejdini. Ambasadori i uroi rizgjedhjen Sejdinit në një mandat të dytë, ndërsa kryebashkiaku e falënderoi OSBE për mbështetjen dhe bashkëpunimin para dhe pas zgjedhjeve. Ambasadori ka vazhduar takimet me prefektin Shefqet Deliallisi, ku është njohur me ecurinë e procesit të konstituimit të njësive vendore dhe situatën post zgjedhore. Ndalesa më e rëndësishme e Wollfarth ishte Gjykata dhe prokuroria e rrethit gjyqësor në Elbasan. Pasi ka zhvilluar takime me kryetarin e gjykatës, Arben Vrioni, dhe kryeprokurorin Elvin Gogaj, ambasadori është njohur me problemet që kanë lidhje sidomos me infrastrukturën dhe ambientet e ngushta të dy institucioneve të drejtësisë. D.M.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›