E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji rrëzon PS,Basha kryebashkiaku i ri i Tiranës

SHKRUAN: Fejzi Braushi 09-07-2011 12:05

Plot dy muaj nga dita e zgjedhjeve të 8 Majit, Tirana ka në mënyrë përfundimtare një kryetar të ri bashkie. Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar dje kërkesën e Partisë Socialiste, për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Tiranë, duke lënë në fuqi vendimmarrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpalli Lulëzim Bashën kryetar të bashkisë së kryeqytetit me 93 vota para Edi Ramës. Vendimmarrja e djeshme e Kolegjit i ka dhënë fund kështu odisesë së procesit zgjedhor në Tiranë, pasi pas këtij vendimi, asnjë subjekt politik që mori pjesë në zgjedhjet e shkuara, nuk mund të bëjë më ankimime.

Vendimi

Siç edhe kishin paralajmëruar një ditë më parë, kur u dëgjuan palët në seancë gjyqësore, trupa e gjyqtarëve, në orën 10 të paradites së djeshme ka shpallur vendimin lidhur me kërkesën e Partisë Socialiste, e cila si objekt të saj kishte detyrimin e KQZ-së që të merrte në shqyrtim kërkesën e saj, si dhe shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në 284 qendra votimi nga ana e Kolegjit. Në rolin e relatores dhe të drejtueses së seancës ku u shqyrtua kjo kërkesë, gjyqtarja Sashenka Jonuzi në prani edhe të mediave ka shpallur vendimin për rrëzimin e kërkesë-padisë së PS-së si jashtë afatit ligjor. “Kolegji zgjedhor, në bazë të nenit 158 pika 3 e Kodit Zgjedhor vendosi: Rrëzimin e kërkesë padisë të paditësit Partia Socialiste e Shqipërisë, si të pabazuar në ligj, për shkak të kalimit të afatit ligjor të ngritjes së kërkesë padisë me objekt pavlefshmërinë”, - shpreh gjyqtarja Sashenka Jonuzi, në shpalljen e vendimit të Kolegjit duke mbyllur njëkohësisht dhe shqyrtimin e kësaj çështje. Megjithatë, siç vihet re nga mënyra e formulimit të këtij vendimi, Kolegji sqaron se rrëzimi ka ardhur për shkak të pavlefshmërisë së kërkuar nga socialistët në sallën e gjyqit. Duket se bërja e kësaj kërkese në sallën e gjyqit, pra në datën 7 korrik kur po shqyrtohej kërkesa për të detyruar KQZ-në që të marrë në shqyrtim një kërkesë të sajën të mëparshme, ka bërë që trupa e gjyqtarëve të gjykojë atë si një kërkesë të re, të bërë jashtë afateve ligjore. Ndërkohë që për pjesën e parë të kërkesës, pra atë të paraqitur me shkrim, detyrimin e KQZ-së që të marrë në shqyrtim kërkesën e socialistëve, me anë të së cilës goditej tabela e rezultatit e shpallur me vendimin 1158 dhe shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Tiranë, Kolegji nuk shprehet në mënyrë specifike në vendimin e djeshëm. Tashmë pritet zbardhja e plotë e vendimit brenda së mërkurës së ardhshme, për të parë argumentimin e plotë të vendimit për rrëzimin e kërkesës së PS-së.

Dëshpërimii PS

Shpallja e vendimit ka gëzuar demokratët, por ka hidhëruar socialistët. E ndërsa dy përfaqësuesit demokratë që mbrojtën interesat e Bashës në këtë proces gjyqësor, Ivi Kaso dhe Oerd Bylykbashi kanë uruar njëri-tjetrin për fitoren, përfaqësuesit socialistë janë larguar nga salla pa bërë asnjë koment, për tu mbledhur më pas në tarracën e lokalit që gjendet në oborrin e Gjykatës së Apelit. Aty, deputetët Armando Subashi, Damian Gjiknuri, Ermonela Felaj dhe avokatët Genci Gjonçaj, Arjan Salati kanë qëndruar për disa minuta për të mbledhur veten nga kjo disfatë, pse jo dhe për të ngushëlluar njëri-tjetrin. Ndërkohë që deputeti Damian Gjiknuri, i cili ishte dhe një nga katër përfaqësuesit e PS-së që mbrojti padinë e fundit, duket se ka ndjerë edhe barrën më të madhe, pasi duke u larguar nga lokali drejt selisë së PS-së ka paralajmëruar kritikat që mund t’i vinin për këtë gjyq të humbur. “Më jepni një krehër, para se të më varin”, - ka qenë batuta, e huazuar nga Gjiknuri prej një filmi shqiptar, para se të mbërrinte në selinë e PS.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›