Rama: Drejtësia ka vdekur! Opozita do të flasë me aksion popullor
Kreu i socialistëve akuzon Kolegjin Zgjedhor se me vendimin e marrë vulosi një grabitje të dhunshme ditën për diell dhe sy për sy përpara popullit
Opozita do të flasë me një aksion të madh popullor për të ringjallur drejtësinë dhe shpëtuar Shqipërinë nga pengmarrësit e saj. Ky ishte premtimi i djeshëm i kreut të Partisë Socialiste Edi Rama në shenjë reagimi pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për të rrëzuar kërkesë padinë e opozitës sa i takon procesit në Tiranë. Sot fjalët tona janë të tepërta, tha Rama, sepse Kolegji Zgjedhor vulosi një grabitje të dhunshme ditën për diell dhe, sy për sy, përpara një populli të tërë, nxori humbësin fitues duke bërë qorrin e shurdhin si në çdo regjim pa drejtësi. “Sot fjalët tona janë të tepërta, sepse të gjithë e dinë të vërtetën e zgjedhjeve në Tiranë, edhe qytetarët, edhe gazetarët, edhe ndërkombëtarët, edhe gjyqtarët, edhe kusarët”, theksoi kreu i socialistëve Edi Rama. Duke insistuar në faktin se fjalët e tij janë të tepërta, Rama sqaroi se akti i Kolegjit Zgjedhor flet më shumë se çdo fjalë për kapitullimin pa kushte të drejtësisë, nën trysninë e një pushteti kusarësh e matrapazësh që i lejojnë vetes çdo gjë dhe nuk ndëshkohen për asgjë. “Sot fjalët e çdo shqiptari që nuk vjedh janë të tepërta, sepse sot çdo hajdut ka të drejtë ta festojë lajmin, që vjedhjen në Shqipëri ligji mund ta dënojë sa të dojë, po gjykata mund ta lejojë kur të dojë. Sot fjalët janë të tepërta, sepse drejtësia në Shqipëri ka vdekur. Ndërsa opozita do të flasë me një aksion të madh popullor për të ringjallur drejtësinë dhe shpëtuar Shqipërinë nga pengmarrësit e saj”, u shpreh Rama. Dy ditë më parë, në një intervistë për “Deutsche Wellë” kreu socialist u pyet se cili do të ishte reagimi në rast të një vendimmarrjeje negative të Kolegjit Zgjedhor dhe tha se hapat janë paralajmëruar. “Nëse Kolegji do të vulosë në fund, uroj jo, fitoren e paqenë të humbësit të zgjedhjeve të Tiranës, duke mbyllur sytë para provave ulëritëse të shifrave të manipulimit të zgjedhjeve në tavolinën e KQZ-së, kjo do të jetë një barrë e rëndë me pasoja për vendin - pa diskutim këtu edhe për gjykatësit ligjshkelës dhe për vetë Saliun e për pushtetin e tij të vjedhur”, paralajmëroi Rama. Termi i përdorur nga Rama, kur flet për “aksion të madh popullor” mbetet i paqartë dhe do të duhet të sqarohet në javët e ardhshme se çfarë nënkupton. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, socialistët vendosën që në muajin shtator të mund të rikthehen në seancat dhe mbledhjet e Komisioneve parlamentare duke i dhënë fund bojkotit. Ky i fundit nisi që prej prag fushatës së zgjedhjeve administrative të 8 Majit dhe ende vazhdon të jetë strategji e partisë kryesore të opozitës. Vetëm dy deputetë socialistë, konkretisht Kastriot Islami dhe Andis Harasani e kanë kundërshtuar vendimin e grupit parlamentar duke preferuar të marrin pjesë në punimet e Kuvendit. Muajt e verës dhe varfëria e axhendës institucionale nuk e ndihmojnë aksionin politik të opozitës në rast se ajo planifikon mbajtjen e protestave popullore. Muajt e verës dhe fillim vjeshta do të shoqërohet edhe me proces votimesh në strukturat e brendshme të Partisë Socialiste, sipas axhendës së miratuar në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare.