BE: "Ok" Islandës. Shqipëria ende në listën e pritjes
Këshilli i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian do të mblidhet më 27 korrik që të shqyrtojë kërkesën e Islandës për statusin e kandidatit të anëtarit në familjen europiane. Grupi i ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian ka rënë dakord për disa konkluzione. Këshilli kujton konsensusin mbi zgjerimin, të shprehur në konkluzionet e Këshillit Europian të 14/15 dhjetorit 2006, duke përfshirë edhe parimin që çdo vend aplikant është vlerësuar mbi meritat e veta. Ambasadorët thonë se në një letër të datës 16 korrik 2009, Kryeministrja znj Johanna Siguroardottir dhe të ministrit të Punëve të Jashtme, Ossur Skarpheoinsson, paraqitej aplikimi i Islandës për anëtarësim në Bashkimin Europian. Këshilli vendosi që të zbatojë procedurën e përcaktuar në nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian. Rrjedhimisht, komisioni është i ftuar për të paraqitur në këshill opinionin e tij mbi këtë kërkesë. Këshilli shfrytëzon këtë rast për të përsëritur mbështetjen e tij të plotë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor dhe thekson se do të kthehet në kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim sapo të kenë përfunduar procedurat zgjedhore shqiptare". Ministrja suedeze për Çështje të BE-së, Cecilia Malmstrom, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Carl Bildt, do të kryesojnë takimin e këshillit më 27 korrik. Ministrja për Çështje të BE-së, Cecilia Malmstrom, do të paraqesë përparësitë e Presidencës suedeze. Këshilli do të diskutojë gjithashtu në dritën e aplikimit të Islandës për anëtarësimin në BE. Sakaq, ministrat e Jashtëm do të diskutojnë një shtyrje të Misionit Monitorues të Bashkimit Europian (EUMM) në Gjeorgji. Ministrat gjithashtu do të diskutojnë dhe të miratojnë konkluzionet mbi situatën në Somali dhe në lidhje me zgjedhjet presidenciale të Iranit. Siç është parashikuar, ministrja suedeze për BE-në, Cecilia Malmstrom, do të mbajë një konferencë për shtyp më 27 korrik, ndërsa ministri i Jashtëm suedez do të flasë në orën 15.00.