E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolegji Zgjedhor rrëzon "Shkodrën" dhe "Tiranën"

Kolegji Zgjedhor mbylli dje fazën e dytë të ankimimeve të subjekteve politike, duke i hapur rrugë hapit përfundimtar të procesit zgjedhor, shpalljes së rezultatit. Trupi gjykues i Kolegjit Zgjedhor shqyrtoi dhe vendosi dje për dy kërkesat e fundit ankimore për Shkodrën dhe Tiranën, duke rrëzuar kërkesat e ngritura nga PS dhe PDK. Rrëzimi i këtyre kërkesave lë në fuqi vendimet e marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke mbyllur veprimet për këto qarqe. Kolegji, bazuar në nenin 158 të Kodit Zgjedhor, rrëzoi dy kërkesat si të pabazuara në ligj dhe në prova, si në të gjitha rastet e shqyrtuara gjatë ditëve të fundit, duke u përballur me të njëjtat kërkesa ankimore, kryesisht rivlerësim dhe rinumërim të votave në këto qarqe. Dita e djeshme shënoi fundin e shqyrtimeve të kërkesave ankimore, ndërkohë që nga afati ligjor, ankimimet mbeten ende të hapura në këtë kolegj, pasi PDI, e cila dërgoi ankimimin e fundit në KQZ, ka afat edhe sot për ta dorëzuar atë në gjykatë.

Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Partia Demokristiane

ankimuan vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për tabelën përfundimtare të Qarkut të Shkodrës. Partia Socialiste dhe ajo Demokristiane në thelb kishin të njëjtën kërkesë ankimore, duke kërkuar rinumërim dhe rivlerësim në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjet me numër 40, 41, 42, 43, 44 të Qarkut të Shkodrës, pasi pretenduan për parregullsi gjatë numërimit të votave. Ashtu si në KQZ, përfaqësuesit ligjorë të këtyre dy subjekteve kërkuan shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së. Ndërsa nga ana tjetër, PD kishte më pak pretendime. Ajo kërkoi që rezultati i dy kutive me numër 0392 dhe 0211 të mos përfshihet në rezultatin final. Por pas një ore diskutimesh, anëtarët e trupit gjykues vendosën t‘i rrëzonin kërkesë paditë.

Partia Socialiste dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ankimuan pranë Kolegjit Zgjedhor vendimin 574 të KQZ-së, pasi ajo nuk mori parasysh pretendimet e këtyre dy subjekteve për rivlerësim dhe rinumërim të votave. Partia Socialiste ankimoi vendimin për 6 KZAZ, me numër 55, 56, 57, 58, 59, 60, ndërsa LZHK ankimoi vendimin për KZAZ 45, 46, 47, 48, 49, 51, 52, 53, 54, 58, 59 duke kërkuar në të gjitha rastet rivlerësim dhe rinumërim të votave në qendra votimi të ndryshme të këtij qarku. Sakaq, PS iu referua sërish çështjes së dy anëtarëve të KQZ-së që kërkuan rivlerësim dhe rinumërim të votave. KQZ iu përgjigj me të njëjtat argumente, duke deklaruar se kjo kërkesë bëhet në momentin kur ka nisur shqyrtimi administrativ dhe për fletë të caktuara, e jo për gjithë qarkun. Për sa u përket pretendimeve të palëve, KQZ vlerësoi se janë të pabazuara në ligj, ndërsa iu referua dokumentacionit zgjedhor, i cili, sipas përfaqësuesit juridik të KQZ, është i rregullt dhe nuk ka asnjë mospërputhje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›