E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Nuk ka standarde me kuti të mbyllura

Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaroi dje se faza e apelimit të procesit zgjedhor është e ngutshme, ndërsa ka mjaft kohë deri në shtator, ku pritet të krijohet qeveria e re. Referuar vendimit për Qarkun e Beratit, në një njoftim për mediat, Malaj bën me dije se kjo fazë e apelimit duhet të jetë jashtë ndikimeve të partive politike. "Standarde europiane pa institucione apelimi jashtë influencave partiake nuk mund të ketë. Standarde të zgjedhjeve me kuti të mbyllura nuk mund të ketë. Kjo mund të na mbyllë qoftë edhe përkohësisht optimizmin tonë për integrimin europian", tha Malaj, duke shtuar se koha në dispozicion deri në shtator për krijimin e qeverisë së re, krijon hapësira të plota që apelimi të jetë sa më transparent dhe të mos ketë asnjë ngutje. "Respektimi i vendimeve të gjyqësorit është shumë i rëndësishëm, por pavarësia e gjyqësorit dhe standardet e zgjedhjeve janë jetike për të ardhmen europiane të vendit", vijoi ai.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›