E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen rastet e pickimeve nga insektet

Shënohen viktima të reja të pickimit nga gjarpri në qytetin e Elbasanit. Kanë qenë të paktën 10 raste që janë paraqitur në spitalin kirurgjikal të qytetit, që shfaqin shenja të pickimit nga gjarpërinjtë, por edhe nga insekte të tjera helmuese. Mësohet se pjesa më e madhe e pacientëve kanë qenë fëmijë. Fatmirësisht ata janë paraqitur në kohë për të marrë trajtim mjekësor dhe gjendja e të pickuarve paraqitet jashtë rrezikut për jetën.

Temperaturat e larta të ditëve të fundit, kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës dhe në shtimin me ritme shqetësuese të të pickuarve nga insektet helmuese. Sipas burimeve spitalore, mësohet se të gjitha rastet e paraqitura, ndër ta më së shumti fëmijë, janë jashtë rrezikut për jetën. Bluzat e bardha pohojnë se kujdesi mjekësor ka qenë maksimal, medikamentet janë të pranishme, pasi ne jemi përgatitur për një situatë të tillë qysh në pranverë, duke menduar për një verë të nxehtë. Ndërkohë, mjekët tërheqin vëmendjen që në rast se dikush kafshohet nga gjarpri apo nga insektet helmuese, gjëja e parë që duhet të bëhet është të paraqiten pranë qendrave mjekësore më të afërta, për të marrë ndihmën e shpejtë. Ndërkohë, udhëzimi vazhdon me përdorimin e medikamenteve kortizonikë, për të mos rënë në gjendje shoku. Veçse këto duhen bërë nga personeli mjekësor dhe në asnjë mënyrë nuk duhen ndërmarrë veprime vetëshpëtimi.

Në krahasim me një vit më parë, numri i rasteve të shtruara nga pickimi i insekteve dhe gjarpërinjtë është në rritje dhe rastet e ditëve të fundit kanë qenë mjaft të komplikuara.

Një rast i ngjashëm ishte edhe vdekja e 5-vjeçarit nga Korça, Viktor Balliu, si pasojë e pickimit nga gjarpri. Vogëlushi u pickua nga gjarpri rreth një javë më parë, ndërsa bashkë me të vëllain e tij shkonte për t‘u larë në rezervuarin e fshatit ku banonte.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›